Loading...
Loja e superfuqive, anketa zbulon mendimin e shqiptarëve
Transmetuar më 16-04-2019, 08:53

Superfuqitë janë ato që vendosin në shumicën e rasteve fatin e më të dobëtëve. Çdo lëvizje e ndërmarrë nga këto shtete ka efekt direkt në tregje duke prekur në finale çdo qytetar. Po a e keni menduar ndonjëherë se cili është ndikimi që kanë ato që konsiderohen sot superfuqi në botë? Si e perceptojnë shqiptarët sot ndikimin që kanë vendet e fuqishme?

Përgjigjet i jep një anketë e realizuar së fundmi nga IDRA Research që ka pasur në fokus edhe një pyetje mbi influencën që kanë vende më të rëndësishme në botë.

Sipas të dhënave, të cilat kanë një shtrirje përfaqësuese në moshë, gjini dhe territor, 93% e shqiptarëve mendojnë se Gjermania ka influencë pozitive, 3 pikë më poshtë renditen SHBA e më pas vjen BE me 89 për qind.

Të pavendosurit për rolin e Bashkimit Europian zënë të paktën 6 për qind të të anketuarave kurse ata që mendojnë që ka efekt negativ është 5 për qind.

Për sa i përket ndikimit negativ, sipas shqiptarëve, vendin e parë e zë Rusia me 51% të të anketuarve.

Grupi i të pavendosurve ka qenë më i lartë ndër gjithë shtetet e tjera tek Kina ku të paktën 54 për qind mendojnë se ndikimi është pozitiv, 14 për qind negativ dhe 32 për qind janë të pavendosur, shkruan ‘monitor’.

Ky anketim është realizuar nëpërmjet një kampioni përfaqësues kombëtar të përbërë nga 600 të anketuar me anë të metodës ballë për ballë. Marzhi i gabimit për këtë anketim është +- 4% me një interval besueshmërie 95%.

Loading...
Loading...