Transmetuar më 15-04-2019, 22:05

Një zjarr i madh përfshiu katedralen e famshme Notre-Dame në Paris.

Shkaku i zjarrit nuk është ende i qartë, por zyrtarët thanë se mund të lidhet me punët e rinovimit.

Operacioni i zjarrfikësve është në vazhdim e sipër, por kulmi i ndërtesës gotike 850-vjeçare u shemb.

E gjithë korniza e Notrë Dam në Paris është duke u djegur, në një zjarr që ra gjatë ditës së sotme, deklaroi zëdhënësi i katedrales.

“Gjithçka është duke u djegur. Nga korniza, që njëra pjesë është e shekullit XIX dhe pjesa tjetër e shekullit XIII, nuk do të mbetet më asgjë”, u shpreh me keqardhje Andre Finot.

Katedralja vazhdoi të digjej me rënien e mbrëmjes. Flakët ngriheshin në qiell edhe pas rrëzimit të kambanores.

Zëdhënësi i katedrales, Andre Finot, i tha medias franceze se e gjithë struktura prej druri e katedrales ishte në djegie e sipër dhe mund të shkatërrohej.

Nënkryetari i Bashkisë së Parisit Emmanuel Gregoire tha se punëtorët po përpiqen "të shpëtojnë të gjitha veprat e artit që mund të shpëtohen".

Policia franceze thotë se nuk ka njoftime për viktima.

Në disa pjesë të katedrales ishin vendosur skela dhe zyrtarët thanë se statujat prej bronzi ishin hequr javën e kaluar për arsye të rinovimit.

Zjarrfikësit në Paris evakuan ndërtesat pranë katedrales Notre Dame dhe pastruan zonën rreth saj nga hiri që binte.

Dëshmitarët thanë se zjarrfikësit shkuan me urgjencë në zonën e katedrales menjëherë pas shpërthimit të zjarrit, pak para orës 7 të mbrëmjes. Qindra njerëz u mblodhën në urat e Parisit mbi lumin Senë për të parë skenën.

Vitin e kaluar, Kisha Katolike në Francë bëri thirrje urgjente për fonde, për ta rinovuar katedralen.

Katedralja katolike mesjetare është një nga monumentet historike më të vizituara në Evropë. Ajo daton në shekullin e 12 dhe është e famshme si vendi ku vendosen ngjarjet e romanit klasik të Victor Hygosë, "Kurrizoja i Notrë Damës”.

Ndërtesa është e njohur për figurat mitologjike prej guri, dritaret prej qelqi të ngjyrosur dhe trarët karakteristikë që mbajnë muret.

Katedralja mesjetare përfundoi së ndërtuari në shekullin e 13-të dhe sot, konsiderohet po aq kryevepër arkitekture, sa edhe një simbol fetar.

E vendosur në Île de la Cité, një ishull i vogël në mes të qytetit, katedralja është një nga objektet më të njohura turistike të Parisit dhe tërheq rreth 13 milionë vizitorë në vit.

Zyra e Prokurorit të Parisit tha se ka hapur një hetim mbi incidentin.

Londra ndan pikëllimin me Parisin, tha kryetari i kryeqytetit britanik, Sadiq Khan.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se populli i saj ndjen me miqtë francezë, ndërsa e përshkroi katedralen si "simbol të Francës dhe të kulturës sonë evropiane".

"Është aq e tmerrshme të shihet zjarri masiv në katedralen Notre-Dame", tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Monumenti Historik më i vizituar në Europë, Notre-Dame de Paris domethënë “Zonja jonë e Parisit”.

Është katedrale mesjetare katolike në Île de la Cité, qarku i katërt i Parisit, Francë.

Katedralja konsiderohet një nga shembujt më të mirë të arkitekturës gotike franceze dhe kisha më e vyer Katolike në Francë, dhe në botë.

Ndërtimi i Katedrales daton në vitin 1345, ndaj restaurimi i saj është i nevojshëm herë pas here. 

LIVE: