Transmetuar më 15-04-2019, 16:48

Një ish komando i ushtrisë, që ka shërbyer në në Irak dhe Afganistan në vitin 2011 është arrestuar nga zyra Antiterrorit në Policinë e Shtetit.

Erzen Uka është vënë në pranga pas dyshimeve për prirje radikale dhe nxitjen e urrejtjes me qëllim kryerjen e veprave terroriste.

I arrestuari konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë. Policia thotë se mbahej nën survejim që prej vitit 2007. 29-vjeçari është me origjinë nga Kruja, i divorcuar dhe i proceduar me parë për dhunë në familje.

Pas divorcit kujdestarinë e dy fëmijëve e fitoi ish-bashkëshortja, por vendimi i gjykatës nuk u zbatua.

Mbi Ukën rëndon edhe akuza e stërvitjes për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste. Ky shtetas në adresën e tij në Facebook ka publikuar dhe shpërndarë video e pamje filmike që nxisin dhe propagandojnë veprat penale me qëllime terroriste.

Ai stërvit në shtëpinë e tij një person se si mund ti merret nga dora arma kundërshtarit dhe neutralizimi i tij. Gjatë kontrollit të banesës se tij, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një sasi fishekësh luftarak.

Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për veprat penale të “Stërvitja për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste”, “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” , të parashikuara nga nenet 232, 232/a dhe 278/2 të Kodit Penal.