Transmetuar më 15-04-2019, 16:04

Një filial i bankës “Tutunska Banka” në Maqedoninë e Veriut ka rënë këtë të hënë pre e grabitësve.

Ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme në ora 10:36 minuta në rrugën “Ferid Bajram” dhe siç raporton Alsat, janë grabitur rreth 100 mijë euro dhe kanë qenë të paktën tre persona të përfshirë në këtë grabitje.

Ata dyshohet se kanë qenë të armatosur me armë zjarri të tipit kallashnikovë. Fatmirësisht nuk raportohet për të plagosur, ndërsa policia dhe grupi hetimor kanë nisur punën për zbardhjen e grabitjes së filialit të bankës.

Fillimisht autorët dhunuan rojen e sigurisë E.E. 26 vjeç dhe më pas nën kërcënimin e armëve morën paratë dhe u larguan në drejtim të paditur.

Disa orë pas ngjarjes, policia ka gjetur një makinë, e cila po digjej dhe që dyshohet se është përdorur nga autorët që grabitën filialin e bankës.