Transmetuar më 15-04-2019, 13:33

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ishte sot në Prokurorinë e Tiranës ku u paraqit lidhur me padinë kundër ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe policisë, kundër përdorimit të gazit lotsjellës në protestë.

Ai tha se ka dhënë sqarime në prokurori lidhur me kallëzimin, për shkak se sipas tij janë praktikuar akte dhune dizproporcionale nga ana e policisë ndaj qytetarëve, të cilat sipas tij kanë qenë me urdhër politik.

“Prokuroria ka pasur detyrimin ligjor që bazuar në informacionet e transmetuara në media të niste hetimet ndaj policis. Kjo bëri që Partia Demokratike të bëjë kallëzim penal me shkrim. I bëj thirrje organit të Prokurorisë që të mos bëhet shtojcë e qeverisë pasi nuk është organ në varësinë e ministrit të Brendshëm. Do të duhet të ushtrojë përgjegjësitë e veta, pasi sot ka 40 qytetarë që janë në burg pa asnjë provë se kanë ushtruar të drejtën legjitime të protestës, nuk ka asnjë provë apo pamje që të kenë ushtruar akte dhune”, u shpreh Bardhi.

Ai iu bëri thirrje gjyqtarëve dhe prokurorëve, se nuk kanë për ta kaluar vetingun duke i shërbyer në mënyrë kriminele qeverisë, duke nënvizuar se fundi i prokurorëve dhe gjyqtarëve që i shërbejnë qeverisë, do jetë i njëjtë me atë të “qeverisë kriminale”.

Lidhur me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj tha se “është një mbetje e kohës së komunizmin që e quan protestën e qytetarëve puç kushtetues”. /a.y/noa.al