Transmetuar më 15-04-2019, 12:08

Gjykata e Krimeve të Rënda ka refuzuar ditën e sotme që të ndryshojë masën e sigurisë për dy ish-deputetët socialistë Arben Ndoka dhe Arben Çuko.

Kështu gjykata ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie”, për dy ish-ligjvënësit socialistë të arrestuar gjatë operacionit “Vol-Vo 4”.

Ndoka dhe Çuko u arrestuan në tetor të vitit që lamë pas, bashkë me 33 persona të tjerë.

Arben Ndoka u arrestua nën akuzat e veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorimi i tokës”, i dyshuar si i lidhur me një grup kriminal që merrej me tjetërsim tokash dhe pronash.

Ndoka, akuzohet se bashkë me disa zyrtarë të tjerë, kanë ndikuar në tjetërsimin e pronave te “Rana e hedhun” dhe në zonën e Kunes, ku nga ranore i kthenin në arë, për t’ua kaluar të afërmve të tyre.

Ndërkohë ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko, u arrestua nën akuzën e korrupsionit pasiv.

Arben Çuko, u shkarkua nga detyra me urdhër të ministrisë së Drejtësisë, në fillim të shtatorit. /a.y/noa.al