Transmetuar më 15-04-2019, 10:39

Ka nisur paraditen e sotme në Gjykatën e Krimeve të Rënda seanca gjyqësore lidhur me dosjen “Habilaj”. Të pandehur për këtë dosje janë Moisi Habilaj dhe grupi i tij.

Vetë Habilaj dhe një pjesë e anëtarëve të grupit janë në burg në Itali, ku dhe po gjykohen.

Por seanca u shty për në 30 prill për shkak të mos njoftimit të të pandehurve, çka ka bërë që të kërkohet ndihma e Interpol dhe policisë së Vlorës, lidhur me njoftimin zyrtar të të akuzuarve.

Si pjesë e grupit “Habilaj”, i vetmi arrestuar në Shqipëri është Armand Koçerri.

Ai u ndalua bashkë me Nezar Seiti, i cili u ekstradua në Itali pak muaj më parë, ku dhe po gjykohet.

Të akuzuarit e kësaj dosje janë Mojsi Habilaj, Florjan Habilaj, Armando Koçerri, Nezar Seiti, Sabaudin Cela, Tigrens Mezuaraj, Fatmir Minaj, Maridjan Sulaj dhe Armando Sulaj. Të pandehurit akuzohen për trafik të lëndëve narkotike dhe krijim i grupit të strukturuar kriminal.

Të dyshuarit akuzohen se kanë bashkëpunuar edhe me ish-zyrtarë të lartë të policisë si Gjergji Kohila, Sokol Bode dhe Jaeld Çela.

Po ashtu në dosje thuhet se kanë bashkëpunuar edhe me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Sakaq organi i akuzës është në pritje të dy letër porosive nga autoritetet italiane për Tahirin. /a.y/noa.al