Transmetuar më 15-04-2019, 01:19

Djali i të ndjerit Sokol Olldashi është fotografuar dje në protesten e opozitës. Burime nga PD bëjnë të ditur se Glauk Olldashi ka ardhur nga Anglia për t’iu bashkuar mijëra protestuesve për të kërkuar largimin e Edi Ramës.

Djali i ish-deputetit të PD-së pak kohë më parë në një intervistë për mediat u shpreh se kishte ambicie politike dhe se do përfshihej sapo të përfundonte arsimimin e tij duke ndjekur kësisoj hapat e të atit të ndjerë.

Sokol OIldashi vdiq në një aksident rrugor në 20 nëntor 2013, por me sa duket “vendin” e lënë bosh nga i ati në PD do ta zërë i biri, Glauku i cili ka marrë pjesë sot në protestën e opozitës.

Kjo ishte protesta e 3-të masive që zhvilloi opozita e bashkuar pas asaj të 16 Shkurtit dhe të 16 Marsit, pas vendimit për të djegur mandatet e deputetëve dhe për të dalë në rrugë. Edhe në protestat e tjera kombëtare, pjesëmarrja ka qenë e konsiderueshme, ndërsa për herë të parë qytetarët grumbullohen në orët e pasdites.

Opozita kërkon një qeveri tranzitore, që të mund të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, pa Edi Ramën kryeministër. Vendi prej javësh ndodhet në një kolaps institucional, pasi ende nuk është bërë e mundur që të plotësohet numri prej 140 deputetësh që parashikon Kushtetuta e vendit.