Transmetuar më 14-04-2019, 19:10

Institucioni i Avokatit të Popullit ka dalë me një reagim një ditë pas protestës së mbajtur nga opozita.

Ky institucion në reagim shprehet me rezerva për përdorimin e gazit mbi qytetarët dhe se nuk pajtohet me veprime të dhunshme të çfarëdo shkalle apo natyre të drejtuara ndaj individit, institucioneve shtetërore apo pronës private.

“Ekipe monitoruese të Avokatit të Popullit kanë qenë në terren prej orës 18.00 deri në përfundim të protestës për të parë dhe dokumentuar nga afër çdo zhvillim. Avokati i Popullit ka konstatuar se protesta është zhvilluar përgjithësisht në mënyrë paqësore dhe se episodet e dhunës apo të kundërshtimit të forcave të policisë nga ana e protestuesve kanë qenë në një shkallë të menaxhueshme. Por pavarësisht sa më sipër Avokati i Popullit nuk pajtohet me veprime të dhunshme të çfarëdo shkalle apo natyre të drejtuara ndaj individit, institucioneve shtetërore apo pronës private”, shkruhet në reagim.

Avokati i Popullit shprehet më tej se gjen rastin të bëjë thirrje ndaj autoriteteve shtetërore që të garantojnë të drejtën kushtetuese të qytetarëve për tubim paqësor, pa e kufizuar këtë të drejtë në asnjë mënyrë, as të drejtpërdrejtë e as të tërthortë.

Gjithashtu, Avokati i Popullit shpreh shqetësimin që sjelljet e jashtëligjshme apo të dënueshme të individëve apo grupimeve të vogla e të veçuara, sipas tij, vazhdojnë të përdoren si pretekst nga ana e institucioneve ligjzbatuese për të kufizuar të drejtën për tubim, edhe për qytetarët e tjerë të papërfshirë në shkelje ligjore.

“Për përdorimin e gazit lotsjellës apo përbërësve të tjerë irritues vazhdon te mos bëhet publik protokolli apo manuali i hetueshëm i përdorimit, me anë të të cilit rregullohen specifikisht rastet kur ai mund të përdoret, sasia, shpeshtësia, dendësia dhe lloji i tij.

Për këtë arsye, mbetet në gjykimin subjektiv të opinionit dhe pjesëmarrësve në protesta, të vlerësojnë se përdorimi i gazit lotsjellës jo vetëm që vazhdon të jetë në shpërpjesëtim me shkallën e rrezikshmërisë që paraqet turma e protestuesve, por ai është shndërruar tashmë në një instrument të preferuar për pengimin e vetë së drejtës kushtetuese të qytetarëve për tubim paqësor.

Përdorimi në masë i gazit lotsjellës përveçse është konstatuar nga grupet në terren është raportuar me shqetësim edhe nga një numër gazetarësh dhe përfaqësuesish të pavarur të medias, si kufizues për ushtrimin e detyrës së tyre në raportimin e protestës”, shkruhet më tej në reagimin e Avokatit të Popullit./a.k/noa.al/