Transmetuar më 14-04-2019, 12:48

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, doli në një deklaratë për mediat mesditën e sotme në lidhje me protestën e një dite më parë të opozitës, e cila nisi te Kryeministria dhe u zhvendos më pas te Parlamenti.

Ministri u shpreh se protesta e fundit ishte një devijim i rëndë nga ligji. Lleshaj tha se protesta u zhvendos në mënyrë të pabesë, tinzare, duke krijuar pasoja të rënda.

“Mbrëmë Tirana, por edhe Shqipëria, përjetoi një protestë të dhunshme, të paligjshme dhe të rrezikshme”, – tha z.Lleshaj dhe shtoi:

“Protesta e fundit ishte një devijim i rëndë nga ligji. Pati më pak pjesëmarrës, por pati shumë më tjetër dhunë që tregon dëshpërimin e organizatorëve. Pati shumë më tepër maska, duke e bërë atë më të rrezikshme”.

Z.leshaj komentoi sërish tubimin opozitar duke mos reshtur akuzat: “Protesta u zhvendos në mënyrë të pabesë, tinzare, duke krijuar pasoja të rënda. Duke përfshirë qytetarë pa lidhje me protestën, dëme në biznese”.

Sipas z.Lleshaj, nga organizatorët nuk ishte marrë asnjë masë për të garantuar që protesta të organizohej normalisht.

“U pa qartë që ishin marrë masa për të përdorur dhunë të mirëfilltë kundër institucioneve kushtetuese. Pati thirrje antikushtetuese, të cilët ditët e fundit po intensifikohen. U përdor një arsenal i tërë lëndësh shpërthyese, të cilat janë të ndaluara”, – tha z.Lleshaj, duke mos komentuar nga ana tjetër, akuzat e shumta për përdorimin pa kriter dhe abuziv të azit lotsjellës.

“Ajo që është më e keqja është se protesta kontribuoi në zhvendosjen e policisë së shtetit nga lufta kundër krimin në atë për mbarëvajtjen e një proteste të paligjshme”, u shpreh ministri.