Transmetuar më 14-04-2019, 10:26

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi përmes një postimi në “Tëitter” shprehet se makina e djegur dhe policët e plagosur gjatë protestës së djeshme të opozitës janë skenar i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj.

Ai deklaron se pas grabitjes në Rinas, ky skenar është suksesi i dytë në tre ditë i Lleshaj. Sipas tij, maxhoranca është e tmerruar nga bashkimi i shqiptarëve.

“Janë të tmerruar nga #bashkimi i shqiptarëve!✌S’u mjaftoi gazi helmues dhe uji me presion, i përdorur në mënyre kriminale kundër qytetarëve. #Turp! Llesh Kimiku sajoi skenarë me djegie makinash false e policë “të dhunuar” për të mbuluar frikën e shefit të tij të vetmuar.👿

Pas grabitjes në Rinas, djegia e makinës fallco dhe policë “të dhunuar” është “suksesi” i dytë i Llesh Kimikut në 3 ditë.🙈 Parlament me vota fallco, qeveri fallco, kryeministër fallco!🤡 Shteti i Ramës ka marrë fund! Ne jemi shumica morale dhe politike! Nuk ka kthim pas!💪”, shkruan Bardhi.

Ndërkohë mbrëmjen e djeshme, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka vizituar në spital, punonjësit e Policisë të plagosur. Me anë të një postimi në Facebook Lleshaj e ka cilësuar protestën ‘të dhunshme si dhe të maskuar nga nata dhe maskat e vërteta, si ato që përdor jo rrallë krimi.’

“Sapo vizitova policët e plagosur në Spitalin e Traumës. Pasojë e një protestë të dhunshme, të maskuar nga nata dhe maskat e vërteta, si ato që përdor jo rrallë krimi. Organizatorët dhe ekzekutorët e dhunës, kanë sulmuar jo vetëm institucionet kushtetuese dhe Policinë, por edhe qetësinë e qytetarëve, rendin publik dhe imazhin e vendit dhe për këto do të mbajnë përgjegjësi ligjore, publike dhe politike.”, u shpreh Lleshaj.

Protesta e djeshme e opozitës, e nënta që nga shkurti pati përplasje mes policisë dhe protestuesve, ndërsa pati edhe të plagosur nga të dyja palët. Po kështu u dhunuan edhe gazetarë.

Po gjatë protestës së djeshme te Parlamenti protestuesit i vunë zjarrin e dhe një makine të parkuar, si dhe thyen xhamat e një biznesi aty pranë./b.l/noa.al/