Ish-ministri i Drejtësisë: Shpallni zgjedhjet parlamentare, sa më shpejt më mirë
Transmetuar më 14-04-2019, 08:37

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka komentuar protestën e djeshme të opozitës kundër qeverisë. Ai thotë se sa më shumë gaz hedhin, aq më shumë gaz i botës bëhen. Sipas tij, ska nevojë për llafe e as për lot krokodili duke i sugjeruar maxhorancës të shpallë zgjedhjet parlamentare.

“Po t’i hedhësh gaz e ushtrosh dhunë, opozita nuk shkrihet por vetëm ngrihet! Sa më shumë gaz të hedhin, aq më shumë gaz i botës bëhen. Kot e kanë që bëjnë llo llo llo në rrjete sociale! S’ka nevojë për llafe, as për lot krokodili, gjasme për 5 policë të gërvishtur… Thjesht të vënë trutë në kokë dhe të shpallin zgjedhjet parlamentare. Kaq ju ka mbetur! Sa më shpejt, më mirë edhe për ta…”, shkruan Manjani.

Sa i përket policisë, Manjani shkruan se ishin dy sjellje të ndryshme nga policia tek Kryeministria dhe nga ajo tek parlamenti.

“Respekt pa fund për çdo protestues! Protesta e tyre ishte hap shumë i madh drejt rikthimit të Pluralizmit Politik në vendimmarrje. Respekt edhe për policinë që tek Kryeministria u tregua e matur. Por turp e faqe e zezë ishte sjellja tek Parlamenti! Ishin dy sjellje krejt të ndryshme që reflektuan nervozitetin në rritje të pushtetit. Policia i tregoi në mënyrë krejt të sinqertë tensionin nervor të rritur në pushtet…”, shton ai.

Ndërsa në fund Manjani ironizon lidhur me protestuesit e shoqëruar në polici duke u shprehur, “P.S. Tani shkoni nëpër shtëpitë e njerëzve dhe arrestojini për pjesëmarrje në demonstratë…Qesharakë pa fund!”/b.l/noa.al/