PËRMBLEDHJE/ Çfarë ndodhi në protestën e nëntë të opozitës
Transmetuar më 13-04-2019, 23:55

U mbyll pas katër orësh të gjata e të mbushura me tensione protesta e opozitës sot në mbrëmje. Duke iu drejtuar mbështetësve që e shoqëruan në selinë e Partisë Demokratike, kryetari Lulzim Basha tha se “ju keni vulosur në mënyrë të pakapërcyeshme për opozitën dhe për gjithë shqiptarët e ndershëm, largimin e Edi Ramës si një kusht i panegociueshëm për qeveri tranzitore, që do të përgatisë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”.

Sipas kryetarit demokrat, qeveria “soll edhe njëherë si pushtuese ndaj nënave dhe motrave, ndaj fëmijëve e të rinjve, ndaj qytetarëve protestues. E pra, le ta dijë, se asnjë veprim i kundraligjshëm, as hedhja e gazit, as arrestimet, as përpjekja për të intimiduar dhe frikësuar njerëzit nuk ka për të pasur sukses. Fundi i Edi Ramës është firmosur dhe vulosur nga populli sovran”, tha zoti Basha.

Në një postim në Twitter, menjëherë pas fjalës së kryetarit demokrat, kryeministri Edi Rama u shpreh se protesta nuk ishte “as e denjë po thjesht e turpshme për PD-LSI! Këta humbës të pashërueshëm po rrisin çdo ditë faturën që do u presë Sovrani në 30 qershor”.

Atmosfera e tensionuar që u vu re fillimisht para godinës së Qeverisë, u përsërit dhe përpara selisë së parlamentit, ku manifestuesit u mblodhën duke ju përgjigjur thirjes së drejtuesve të opozitës.

Policia ndërhyri me gazlotsjellës për të shpërndarë grupet e protestuesve të cilët tentuan të shtynin kordonin e policisë, ndërsa drejt këtyre të fundit, u lëshua një shi tymuesesh dhe shashkave.

Menjëherë pas lëshimit të gazit, protuestuesit largoheshin nga hyrja e parlamentit, për t’u rikthyer sërish me kalimin e minutave.

Kjo situatë u përsërit disa herë, ndërsa manifestuesit qëndronin me këmbëngulje para selisë së Parlamentit, sikundër dhe drejtuesit e opozitës, ndërsa në drejtim të hyrjes së parlamentit, lëshoheshin pa ndërprerë tymuese, shashka e herë pas here dhe bomba Molotov.

Sipas policisë, të paktën 5 punonjës të saj janë plagosur dhe janë shtruar në spital. Edhe opozita nga ana e saj ka folur për 15 protestues, mes tyre dhe gazetarë janë plagosur ose kanë shfaqur problem me frymëmarrjen për shkak të gazit të përdorur.

Më herët, para selisë së Qeverisë ku mbështetësit e opozitës u mblodhën fillimisht në mbrëmje, protestuesit mundën të çajnë gardhin e policisë, përballë hyrjes qëndrore të godinës, pak pas përfundimit të fjalës së kryetarit demokrat Lulzim Basha.

Ata qëndruan për disa minuta në shkallët e kryeministrisë, ndërkohë që forcat e policisë nuk ndërhynë për t’i sprapsur ata.

Presidenti Ilir Meta bëri ndërkohë thirrje për një protestë paqësore dhe që të evitohen konfrontimet.

Në një postim në Twitter ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dënoi aksionin e opozitës: “Edhe sot dhuna e verbër po godet institucione kushtetuese dhe Policinë e Shtetit shqiptar. Plagosja e policëve është një turp dhe shkelje e madhe e ligjit dhe autorët do të mbajnë përgjegjësi”, shkruajti zoti Lleshaj.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama, po përmes Twitterit shprehu “solidaritet me çdo punonjës policie që në ditë si kjo, duhet të përballet me ekseset fizike të një politike të dëshpëruar, pa kokë, pa drejtim, pa të nesërme! Keqardhje për policët e plagosur nga goditjet qorre të dy partive të verbuara, që marshojnë në rrugën e vetëshkatërrimit”, shkruajti kryeministri.

Kjo ishte protesta e nëntë e opozitës që nga muaji shkurt, dhe e treta përpara selisë së qeverisë. Opozita është tërhequr nga parlamenti dhe deputetët e saj dorëzuan në bllok mandatet. Një vendim ekstrem i kritikuar hapur nga komuniteti ndërkombëtar.

Në fillim të kësaj jave gjatë vizitës së tij në Tiranë, Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer i bëri thirrje partive opozitare të riangazhohen në procesin politik, duke theksuar se zgjedhjet lokale të qershorit janë mundësia më e mirë për ta bërë këtë sa më parë.