Transmetuar më 13-04-2019, 21:07

Protestuesit e opozitës vijojnë të qendrojnë të mbledhur sërish përpara Parlamentit, pavarësisht përdorimit të gazit lotsjellës.

Pesë efektivë të Policisë së Shtetit janë lënduar si pasojë e konfrontimit me protestuesit e opozitës para godinës së Parlamentit.

Burime nga Policia bëjnë të ditur se janë në total 5 efektiv të lënduar ditën e sotme. Njëri prej tyre u lëndua si pasojë e goditjes me një fishekzjarr në fytyrë.

Efektivi është dërguar në Spitalin Ushtarak për të marrë ndihmën mjekësore.

Ndërkohë që Partia Demokratike raporton se nga radhët e protestuesve janë 15 persona të cilët kanë mbetur të lënduar nga përplasja me policinë e shtetit dhe nga hedhja e gazitlotsjellës.

“Janë mbi 15 protestues të verifikuar aktualisht në protestë të plagosur ose me probleme të rënda me frymëmarrjen. Nga organizatoret e protestës raportohen edhe gazetarë”, thekson PD.

Leja për protestën e sotme nga opozita është marrë deri në orën 12:00 në mesnatë.

Me valën e protestave pas vendimit për djegien e mandateve të deputetëve, opozita kërkon largimin e Kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. /a.k/noa.al/