Transmetuar më 13-04-2019, 20:33

Protesta e opozitës fillimisht përballë kryeministrisë dhe më pas nga parlamenti, ka sjellë reagimin e kryeministrit Edi Rama.

Në reagimin e tij në Twitter, këtë mbrëmje, Rama shkruan se solidarizohet me çdo punonjës policie që në ditë si kjo, sipas tij, duhet të përballet me ekseset fizike të një politike të dëshpëruar, pa kokë, pa drejtim, pa të nesërme.

"Solidaritet me çdo punonjës policie që në ditë si kjo, duhet të përballet me ekseset fizike të një politike të dëshpëruar, pa kokë, pa drejtim, pa të nesërme! Keqardhje për policët e plagosur nga goditjet qorre të dy partive të verbuara, që marshojnë në rrugën e vetëshkatërrimit", shkruan Rama.

Para kryeministrit reagoi edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ku publikoi fotografi të dy policëve të lënduar.

Në reagimin e tij Lleshaj shkruan: "Edhe sot dhuna e verbër po godet institucione kushtetuese dhe Policinë e Shtetit shqiptar. Plagosja e policëve është një turp dhe shkelje e madhe e ligjit dhe autorët do të mbajnë përgjegjësi".

Leja për protestën e sotme nga opozita është marrë deri në orën 12:00 në mesnatë.

Me valën e protestave pas vendimit për djegien e mandateve të deputetëve, opozita kërkon largimin e Kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. /a.k/noa.al/