Transmetuar më 13-04-2019, 20:01

Pas përfundimit të fjalimit të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha mbështetësit e opozitës janë zhvendosur drejt parlamentit.

Protestuesit e opozitës janë grumbulluar pas ndërtesës së Parlamentit këtë mbrëmje, duke hedhur fishekzjarrë, flakadanë dhe tymuese.

Ashtu sikurse edhe tek Kryeministria, edhe tek Parlamenti janë vendosur kordonë policie, ndërsa është përdorur edhe gaz lotsjellës çka solli shpërndarjen e protestuesve në rrugët përreth parlamentit.

Para Parlamentit, numri i protestuesve është më i vogël edhe për shkak të mungesës së hapësirës, ndryshe nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.

Me thirrjet "Rama Ik" qytetarët kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama.

Leja për protestën e sotme nga opozita është marrë deri në orën 12:00 në mesnatë.

Me valën e protestave pas vendimit për djegien e mandateve të deputetëve, opozita kërkon largimin e Kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. /a.k/noa.al/