Transmetuar më 13-04-2019, 18:36

Protestuesit e opozitës janë grumbulluar sot para Kryeministrisë, ku nuk kanë ngruruar të hedhin flakadanë, tymuese, domate dhe bojë në drejtim të godinës së Qeverisë.

Ashtu siç bënë një javë më parë me ngjyrosjen e godinës së Ministrisë së Brendshme, edhe sot protestuesit kanë hedhur bojë në drejtim të Kryeministrisë.

Ndërkaq drejt protestës janë nisur edhe kryedemokrati Lulzim Basha si dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Për mbarëvajtjen e protestës policia ka marrë një sërë masash, duke vendosur kangjella përreth godinës së Kryeministrisë.

Mbi 1500 efektivë ndodhen pranë ndërtesës së qeverisë, të pajisur edhe me maska antigaz.

Me valën e protestave pas vendimit për djegien e mandateve të deputetëve, opozita kërkon largimin e Kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. /a.k/noa.al/