Transmetuar më 13-04-2019, 16:25

Zbardhet autopsia e vrasjes së organizatorit të dyshuar të grabitjes në aeroportin e Rinasit katër ditë më parë, Admir Murataj.

Admir Murataj është vrarë me një plumb i cili e ka prekur atë në pjesën e kokës në ballë.

Është ky rezultati i autopsisë së kryer në institutin e mjekësisë ligjore.

ReportTv ka mësuar se autopsia i është dorëzuar grupit hetimor ende pa përcaktuar llojin e armës që i ka marrë jetën kjo për shkak se në trupin e të ndjerit nuk është gjetur predhë.

Ajo ka lënë shenjën hyrëse në pjesën e ballit dhe ka dalë pas koke duke i shkaktuar atij dëmtime të mëdha dhe humbjen e jetës.

Murataj u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë në momentin që do të digjte fugonin me të cilin u bë grabitja brenda aeroportit ndërkombëtar të Rinasit.

Admir Murataj një ditë më parë u përcoll për në banesën e fundit me ceremoninë mortore mbajtur në Tropojë, ndërsa hetimet për grabitjen ku përfshihet dhe vdekja e të konsideruarit organizator i grupit janë ende të hapura.