Transmetuar më 13-04-2019, 10:43

Bashkia e Tiranës bën me dije se është arritur marrëveshja për ndërtimin e shkollës së re në Kodër Kamzë midis Bashkisë Tiranë, Universitetit Bujqësor dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Sipas kësaj marrëveshje, Universiteti Bujqësor i Tiranës pranon dhe bie dakord që shkolla e integruar “Nënë Tereza” në Kodër-Kamëz, të ndërtohet në të njëjtin vend të përcaktuar nga Bashkia e Tiranës dhe sipas projektit të hartuar prej saj.

Duke njohur nevojën për zhvillimin e infrastrukturës arsimore në Kodër-Kamëz, Universiteti Bujqësor i Tiranës deklaronse pavarësisht kundërshtimit të shprehur ditët e fundit, nuk mund të mohohet nevoja që ka komuniteti dhe zona për një shkollë të arsimit parauniversitar, ashtu siç nuk mund të mohohet edhe interesi i lartë publik që vepra mbart në vetvete.

Universiteti Bujqësor i Tiranës angazhohet dhe mbështet Bashkinë e Tiranës për ndërtimin e shkollës së re, sipas gjurmës së ndërtimit të përcaktuar në studimin e Bashkisë për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në qytetin e Tiranës.

Bashkia e Tiranës përshëndet dhe mirëpret vendimin e Senatit dhe Rektoratit të UBT-së, i cili i hap dritën jeshile ndërtimit të shkollës “Nënë Tereza”, e cila është një domosdoshmëri për banorët e zonës së Kodër-Kamzës dhe qytetit të Tiranës.