Rinas, gjendet një celular në furgonin e përdorur për grabitje
Transmetuar më 13-04-2019, 07:48

Në brendësi të furgonit me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, i cili u përdor për grabitjen e kësaj të marte në aeroportin e Rinasit, është gjetur një celular.

Telefoni është gjetur brenda furgonit dhe cilësohet si provë kyçe për zbardhjen e ngjarjes.

Dyshohet se telefoni mund të jetë përdorur nga Admir Murataj, i cilësuar edhe si “koka” e grabitësve.

Celularit po i bëhet ekspertiza për të zbardhur komunikimet e kryera me të, veçanërisht në ditën e grabitjes së bujshme.

Grabitja e parave ndodhi pak para orës 15.00 të kësaj të marte në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Gjithçka ndodhi brenda një kohe shumë të shkurtër, kur një automjet dyshohet me katër persona në bord, theu derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, dhe iu afrua me shpejtësi avionit të linjës “Austrian Airlines”, ku sapo ishin ngarkuar për t’u transferuar jashtë vendit, paratë e disa bankave.

Grabitësit hipën në barkun e avionit, në zonën e bagazheve, duke marrë prej andej sasitë e mëdha të parave.

Gjatë largimit nga aeroporti, ndërkohë që është dhënë alarmi për grabitjen, ata kanë hasur në një patrullë të Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë, me te cilët ka patur dhe një shkëmbim zjarri. Një prej grabitësve Admir Murataj, gjatë të shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vrarë me një plumb në kokë. /a.y/noa.al