Transmetuar më 12-04-2019, 16:48

Media greke “Zougla.gr” raporton gjerësisht përplasjen fizike dhe dhunën barbare që ushtroi një i burgosur shqiptar ndaj një greku. Shqiptari e dhunoi grekun barbarisht, aq sa ai ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të rënda që kishte marrë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në njërën prej qelive të burgut të Karidhalos në shtetin fqinj. I burgosuri M.M. po flinte në qelinë e tij. Ai ishte dënuar për çështje droge e kishte edhe pak kohë e do lirohej nga qelia.

Më 27 shkurt 2019, ndërsa ishte në gjumë, ai u sulmua nga një shqiptar me një tub hekuri. Askush nuk ndërhyri për ta mbrojtur. I burgosuri M.M., mori lëndime kudo në trup, në kokë, fytyrë, këmbë dhe gjoks.

Ishin të ulërimat e tij që alarmuan stafin e burgut. Fillimisht u dërgua në spitalin e burgut, por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore u dërgua në spitalin Nikaia.

Nga e mërkura e 27 shkurtit, kur i burgosuri ra viktimë e dhunës së tmerrshme, deri të shtunën e 2 marsit familja e tij nuk dinte asgjë mbi gjendjen e rëndë ku ndodhej.

Asnjë njeri nga burgu apo spitali nuk lajmëroi familjen se M.M., po luftonte për jetën. Ishte vetë pacienti që arriti të lajmëronte familjen e tij.

Mjekët thanë se dhuna kishte qenë barbare dhe greku kishte marrë lëndime të tmerrshme, duke ia marrë jetën.