Grabitja në aeroport, policia dhe ushtria në rivalitet për kontrollin e saj
Transmetuar më 10-04-2019, 22:29

Aeroporti i vetëm ndërkombëtar në vend që ndodhet në Rinas është bërë sot objekt rivaliteti mes institucioneve shqiptare, pasi që të dyja, si ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Brendshme shpallën planet dhe urdhrat për marrjen nën kontroll të “Nënë Terezës”.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, njoftoi dje urdhrin që ushtria të marrë në dorë kontrollin e sigurisë në mjediset e aeroportit të vetëm ndërkombëtar në Tiranë, “Nënë Tereza”.

Zonja Xhaçka tha se koncesionari ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e tij për garantimin e parametrave të sigurisë fizike dhe nuk ka zbatuar standardet e detyrueshme të sigurisë, që përcaktohen nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil.

Sipas saj, kjo situatë kërkon një ndërhyrje urgjente, sepse ne nuk mund të lejojmë të cenohet as siguria e qytetarëve dhe as imazhi i vendit.

Për këtë arsye, “në kushtet e një papërgjegjshmërie të përsëritur të koncesionarit për të respektuar detyrimet e tij ligjore për garantimin e sigurisë së aeroportit, kam urdhëruar që në perimetrin e sigurisë së aeroportit “Nënë Tereza” të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura”, – njoftoi ministrja.

Po ashtu, Xhaçka ka urdhëruar që edhe Policia Ushtarake të dislokohet në këtë komandë, duke iu bashkuar kështu Policisë së Shtetit “për ta mbështetur atë në garantimin e sigurisë së aeroportit”. Ky dislokim, – tha Xhaçka, vjen “duke qenë se Komanda Ajrore e Forcave të Armatosura është në një distancë fare të shkurtër nga Aeroporti i Rinasit”.

Sakaq, nga nesër, 11 prill 2019, sigurinë në aeroport do ta marrë përsipër edhe Komisariati i Policisë së Rinasit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, njoftoi sot në një konferencë për shtyp nga Rinasi se vendimi erdhi me kërkesën e kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm.

Shefi i komisariatit të policisë së Rinasit krahas detyrave funksionale që do të ketë për kontrollin e menaxhimit të kufirit merr edhe përgjegjësinë e drejtimit, menaxhimit, kontrollit dhe bashkëpunimit me kompaninë e sigurisë në aeroport për të bërë të mundur kthimin e sigurisë në ato parametra që kërkojnë qytetarët por edhe standardi i Aviacionit Civil.

Në këtë mënyrë, edhe ushtria edhe policia do ruajnë aeroportin, krahasuar dhe policisë private. /noa.al/