Pastrimi i parave, ndryshon rregullorja, rastet si mund të përdoren subjektet për të fshehur origjinën
Transmetuar më 10-04-2019, 07:36

Paketa ligjore që synon të forcojnë masat për kontrollin kundër parandalimit të pastrimit të parave përfshin një sërë institucionesh ku bën pjesë mes të tjerëve edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Ky institucion së fundmi miratoi ndryshimet në Manualin e Mbikëqyrjes për Parandalimin e Pastrimit të Parave ku ndër të tjera specifikohen edhe një herë se subjekte raportuese në kuadër të kësaj janë të gjithë ato që operojnë në tregjet që ka nën mbikëqyrje AMF.

Kështu bursat dhe çdo subjekt tjetër (agjent, broker, shoqëri brokerimi, etj.) që ushtron veprimtari për emetimin, këshillimin, ndërmjetësimin, financimin dhe çdo shërbim tjetër që ka lidhje me tregtimin e titujve si dhe shoqëritë që merren me sigurimin e jetës ose risigurimit, agjentët apo ndërmjetësit e tyre, si dhe fondet e pensionit bëjnë pjesë në këtë listë.

Tipologjitë e pastrimit të parave

AMF ka shtuar në manual tipologjitë sesi mund të përdoren subjekte të ndryshëm për pastrim parash ndërkohë që parimisht ka bërë një hyrje në kapitullin e parë Historiku në nëntemën Faktorët e Rrezikut.

“Të gjitha subjektet janë të ekspozuara ndaj kërcënimit se mund të shfrytëzohet nga kriminelët në përftim të tyre, me qëllim PP/FT.”, ndërsa në mbyllje të saj shtohet: “Edhe Fondet i Investimeve apo pensionet vullnetare mund të përdoren për të lehtësuar pastrimin e parave apo financimin e terrorizmit si psh.:

Konsumatori kërkon të riblejë ose shlyej një investim brenda një periudhe të shkurtër pas investimit fillestar ose para datës së pagimit pa një arsyetim të qartë, në veçanti kur kjo rezulton me humbje financiare ose pagesa të tarifave të larta të transaksionit; Krijimi i shpeshtë dhe i papritur i marrëdhënieve të ngjashme të biznesit, pa marrë parasysh vlerësimet ekonomike si p.sh hyrja në disa marrëveshje të anëtarësimit në fondet vullnetare të pensioneve brenda një periudhe të shkurtër kohe (me një ose më shumë shoqëri administrimi) etj.

Raste të tjera, në të cilat vërehen situata të dyshimta, që lidhen me tregun e titujve, janë psh. transferimi i fondeve në institucione të tjera financiare ose depozituese, të ndryshme nga ku janë pranuar këto fonde fillimisht dhe veçanërisht kur janë të përfshira shtete të ndryshme; Strukturimi i depozitave të klientit, bëhet në mënyrë të tillë që tërheqje ose blerje të instrumenteve monetare të realizohet nën një sasi të caktuar për të shmangur kërkesat e raportimit ose regjistrimit; Klienti përdor llogari personale/individuale për qëllime biznesi; kryhet pagesa për palë të treta me të cilët klienti nuk ka lidhje të dukshme”, thuhet në rregullore, shkruan ‘monitor’.

Ndër të tjera në Manual saktësohen edhe elementët të lidhura me inspektimet që bëhen pranë subjekteve nën mbikëqyrje. Subjektet duhet të raportojnë 30 ditë pas mbylljes së vitit kalendarik riskun të lidhura me kategorizimin e klientëve kategorizimin e transfertave si dhe çdo të dhënë shtesë mbi subjektet që i nënshtrohen ligjit mbi pastrimin e parave.