Transmetuar më 09-04-2019, 12:57

Ish-komisari Artan Cuku është shpallur ditën e sotme “Dëshmor i Atdheut”.

Gjatë një ceremonie të posaçme të mbajtur te ministria e Brendshme, titulli i komisarit të ndjerë iu dorëzua të shoqes, e cila u pa duke lotuar.

Në fjalën e tij ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha se Artan Cuku e mbylli jetën e tij të pas një atentati të pabesë prej një dore kriminale në  8 prill 2017.

“Vrasësi i paguar i Artan Cukut u kap nga policia në 11 qershor 2017, ndërsa porositësi i krimit të shëmtuar është arrestuar në 29 dhjetor 2018 në Athinë ku pritet edhe ekstradimi drejt Shqipërisë ku do të përballet me drejtësinë. Nga sot i bashkohet radhës së Dëshmorëve të Atdheut duke merituar respektin e gjithë shqiptarëve. Ne i shprehim respektin dhe mirënjohjen familjarëve të Artan Cukut”, u shpreh Lleshaj.

I dyshuar si porositës për vrasësjen e komisarit të ndjerë është arrestuar në Greqi, Bledar Jambelli, i njohur ndryshe si Rikardo Muho, 38 vjeç, lindur në Fier.

Nga hetimet rezulton se motivi i krimit lidhet me arrestimin e tij në kohën kur viktima kryente detyrën e Drejtorit të Policisë Vlorë.

Ndërkohë si vrasës me pagesë është vënë në pranga Mikel Shalari. /a.y/noa.al