Transmetuar më 08-04-2019, 19:05

Policia e Tiranës, e përforcuar me agjentë specialë për krimet e rënda ndaj personit, zhvilloi sot një operacion për arrestimin e disa personave që dyshohej se posedonin armë dhe drogë.

Aksioni u zhvillua në një banesë me qira në kryeqytet, ku ndërsa policia mësyu brenda, personat që gjendeshin në të, hodhën nga ballkoni prova të ndryshme inkriminuese.

Seksioni i Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës në drejtorinë e Policisë Tiranë, tha se e kreu operacionin, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për disa persona që dispononin armë e drogë.

“Bashkëpunimi me qytetarët për të luftuar krimin vuri në pranga katër shtetasit, për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve e municionit luftarak” dhe “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”, – tha policia.

Të arrestuarit në flagrancë janë: Leonard Duka, 33 vjeç, Elvis Gacaj, 44 vjeç, Oltian Logaj 38 vjeç, dhe Dritan Agaj, 38 vjeç, që të katërt, banues në Tiranë.

Dy të dyshuar janë ende në kërkim, ndërsa nuk përjashtohet edhe ndalimi i personave të tjerë, pasi operacioni është në vijim.

Policia pohoi se ka ushtruar kontroll në banesën me qera ku këta shtetas jetonin, pasi dispononte nga qytetarët informacion se këta shtetas mbanin në banesë sende të kundraligjshme.

Makina e sekuestruar, ishte e blinduar

Njërit prej katër të arrestuarve i është sekuestruar një makinë e blinduar.

Këtë e konfirmoi dhe policia kur detajoi: “Gjatë kontrollit të ushtruar këta shtetas janë munduar të largojnë sendet e kundraligjshme duke hedhur një pjesë të tyre nga ballkoni i banesës. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një mjet të blinduar, një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë, 46 fishekë luftarakë, si dhe doza me lëndë narkotike kanabis. /noa.al/