Transmetuar më 08-04-2019, 12:07

Momente tensioni janë shënuar ditën e sotme mes banorave të Bregut të Lumit dhe policisë, për shkak se banesat e tyre janë parashikuar të prishen, për shkak të zgjatimit të Bulevardit të Ri.

Banorët kanë dalë në protestë, duke kërkuar shpronësimin për banesat e tyre.

Madje disa të rinj qëndrojnë në tarracat e banesave dhe kanë qëlluar me gurë policinë, për shkak të afrimit të një fadrome për shembje.

Janë rreth 38 banesa që preken nga vazhdimi i projektit të Bulevardit.

Protestës së banorëve i janë bashkuar edhe ish-deputetët demokratë Klevis Balliu dhe Jorida Tabaku.

“Nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim. Qytetarët janë në të drejtën e tyre ta mbrojnë shtëpinë e tyre nga ky pushtues”, tha Balliu.

Ndërkohë ish-deputeti i LSI, Endrit Braimllari thotë se e gjithë Tirana është në mbështetje të banorëve.

“Edi Rama dhe Sandër Lleshi të tërheqin policinë nga dhuna që po ushtrojnë mbi banorët e Bulevardit të Ri. Nuk mundet Edi Rama me dhunë ti shembi shtëpitë për të përfituar oligarkia e tij”, thotë Braimllari. /a.y/noa.al