Renditja e FIFA-s, Kosova dhe Maqedonia e Veriut ngjiten 3 vende
Transmetuar më 05-04-2019, 23:55

Federata Botërore e Futbollit (FIFA) ka publikuar sot renditjen e saj të fundit të ekipeve përfaqësuese, në të cilën Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë shënuar një përparim prej tre pozitash, ndërkohë që kombëtarja e Shqipërisë ka humbur një vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në renditjen e ekipeve të publikuar sot, Shqipëria ndodhet në vendin e 62-të me 1368 pikë, ose një pozitë më poshtë nga renditja e muajit të kaluar.

Maqedonia e Veriut është ngjitur për tre pozita më lartë dhe me 1.350 pikë mban pozitën e 68-të, ndërkohë që për tre vende më lartë është radhitur edhe Kosova e cila me 1.124 pikë, mban pozitën e 127-të.

Për sa u përket vendeve të rajonit, Kroacia është përfaqësuesja e renditur më së larti, më saktësisht në vendin e pestë, Serbia ka bërë një përparim për dy pozita, dhe tani ndodhet në pozitën e 29-të, Bosnjë e Hercegovina ka 1.478 pikë, mjaftueshëm për vendin e 35-të, ndërsa Mali i Zi mban pozitën e 51-të.

Belgjika mbetet e para (1.737) dhe ndiqet nga Franca (1.734), Brazili (1.676), Anglia (1.647), Kroacia (1.621), Uruguaji (1.613), Portugalia (1.607), Zvicra (1.604 ), Spanja (1.601) dhe Danimarka (1.586).