Pacolli: Në samitin e Beogradit kishte provokime kundër Kosovës
Transmetuar më 05-04-2019, 19:07

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, i dënoi, siç tha, “provokimet” që i janë bërë Kosovës në Samitin Digjital, që po zhvillon punimet në Beograd të Serbisë.

Në këtë samit po merr pjesë një delegacion i Kosovës, i kryesuar nga ministri për Zhvillim Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili të enjten, së bashku me homologët e tij të Ballkanit Perëndimor, nënshkruan marrëveshjen për heqjen e çmimeve të tarifës së romingut për telekomunikime në vendet e Ballkanit.

Në një konferencë për media në Prishtinë, Pacolli tha se në samitin në Beograd, në dy panele ka pasur “provokime në mënyrë organizative” kundër pavarësisë së Kosovës. Sipas tij, rasti i parë ka ndodhur gjatë një paneli të diskutimit në nivel ministrash.

“Gjatë këtij sesioni, organizatorët ndalojnë mikrofonat dhe i kalojnë fjalën dikujt në publik. Aty koncentrohen të gjitha kamerat dhe në monitorët prapa panelistëve fillon të dalë teksti, të cilin po e lexonte ajo grua (nga publiku). Kanë qenë tekste destruktive, shoviniste, ne nuk mund t’i pranojmë ato kurrsesi. Kanë qenë tekste kundër Republikës së Kosovës, kundër pavarësisë së Kosovës, kundër njerëzve të Kosovës. Një gjë e tillë është e papranueshme dhe ne e dënojmë fuqishëm”, tha Pacolli, duke shtuar se situatë identike ka ndodhur edhe në një panel tjetër, në kohën kur Qendra Inovative e Kosovës po paraqiste programin e saj.

Zëvendësministri Pacolli i bëri thirrje Bashkimit Evropian që, siç tha, “të disiplinojë Serbinë”, pasi që bëhet fjalë për një samit të organizuar nga BE-ja. “Ftojmë Bashkimin Evropian që ta disiplinojë Serbinë në të ardhmen, përndryshe Kosova nuk mund të jetë prezente në konferenca të këtij lloji. Prandaj, e ftojmë edhe një herë BE-në që të sqarojë pozicionin e saj ndaj këtyre agresioneve, të cilat i ndodhin Kosovës pothuajse çdo ditë”, tha Pacolli.

Gjatë kësaj konference, Pacolli tha se nuk janë të vërteta as pohimet në Beograd se shteti i Gambisë dhe ai i Liberisë e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.