Përdorimi i “mërkurit” nga dentistët, vendimi që vendos kufizime
Transmetuar më 05-04-2019, 08:05

Një vendim që është aktualisht në fazë konsultimi pritet të vendosë kufizime lidhur me përdorimin e mërkurit i cili gjen shtrirje në disa sektorë. Vendimi që vjen nën emërtimin “për miratimin e rregullave të ndalimit të eksportit të mërkurit metalik, komponentëve dhe përzierjeve të caktuara të mërkurit, ruajtjes së sigurt të mërkurit metalik dhe kriteret specifike të ruajtjes së mërkurit metalik të konsideruar si mbetje” ka në fokus pikërisht këto rregullime.

Një ndër sektorët që pritet të preket nga kufizimet e reja është ajo e shëndetësisë dhe kjo e lidhur me klinikat dentare.

Vendimi cakton rregulla të reja për përdorimin e amalgamave dentare që shërbejnë si material mbushës për trajtimin e dhëmbëve. Konkretisht vendimi shprehet se amalgamat dentare që përftohen nga përzierja e mërkurit elementar të lëngët dhe një aliazhi në formë pluhuri të përbërë nga argjendi, kallaji dhe/ose bakri, përdoret si material mbushës dentar për trajtimin dentar të dhëmbëve do t’i nënshtrohen rregullave të reja të përdorimit apo ndalimit të tyre.

“Nga data 1 Korrik 2021, lejohet përdorimi i amalgamave dentare vetëm në formën e dozave paraprake të kapsuluara. Në klinikat dentare, ndalohet përdorimi i mërkurit, në formë “të pa paketuar” ose “të pa inkapsuluar”.

Nga data 1 Korrik 2021, ndalohet përdorimi i amalgamave dentare për trajtimin dentar të dhëmbëve të qumështit, të fëmijëve nën moshën 15 vjeç dhe të femrave shtatzëna ose që janë në proces ushqyerje me gji” thuhet në draft. Gjithsesi lidhur me ndalimin e përdorimit tek fëmijët nën moshën 15 vjeç vendimi nënvizon që mund të ketë përjashim nëse nga dentisti gjykohet se përdorimi është i nevojshëm.

“Ministria përgjegjëse për shëndetësinë, brenda datës 1 Korrik 2021, përgatit planin kombëtar mbi masat që do të ndërmerren për heqjen nga përdorimi të amalgamës dentare në vend, i cili brenda 1 muaji nga data e miratimit, publikohet në faqen zyrtare të ministrisë.

Ndarësi i amalgamit (separator) për mbajtjen dhe grumbullimin e pjesëzave/grimcave të amalgamës, përfshirë edhe pjesëzat që gjenden në ujin e përdorur gjatë këtyre procedurave, pas datës 1 janar 2021, është detyrim vetëm për ata ofrues të shërbimit dentar, të cilët përdorin amalgamën dentare apo kryejnë heqjen e mbushjeve me amalgamë dentare, në klinikat e tyre” thuhet në vendim, shkruan ‘monitor’

Nga rregullimi në vendimin që është në fazë konsultimi preken edhe industri të tjera që duhet të respektojnë normat e reja. Vendimi përcakton edhe kufizimet për importet dhe eksprotet e përzjerjeve të mërkurit duke nisur nga data 1 janar 2023. Në listën e produkteve me mërkur të shtuar që ndalohen për t’u importuar janë bateritë apo akumulatorët që përmbajnë mërkur më shumë se 0.0005% të peshës, çelësat dhe reletë, llambat fluoreshente me disa specifika dhe lista mbyllet me pesticidet, kozmetikën apo pajisjet matëse ku për secilën ka kategorizime të veçanta.