Nënshkruhet marrëveshja për heqjen e romingut në vendet e Ballkanit Perëndimor
Transmetuar më 05-04-2019, 00:31

Në Samitin e dytë Digjital, që po zhvillon punimet në Beograd të Serbisë, është nënshkruar marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimit të romingut ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe Kosova. Në Beograd, po merr pjesë një delegacion, që po kryesohet nga ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Valdrin Lluka, i cili e ka nënshkruar këtë pakt. View image on Twitter

Tarifa e romingut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e një shteti përdorin në një shtet tjetër. Këto tarifa, zakonisht janë dyfish më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikimin brenda një shteti. Kohë më parë, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, kishte thënë se vendosja e taksës doganore nga Qeveria e Kosovës, ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, nuk ka ndikuar në tregtinë ndërmjet Serbisë dhe Bosnjës, por ka rrezikuar të gjitha marrëveshjet rajonale, të cilat janë planifikuar të nënshkruhen.

Marrëveshja e romingut pritet të zbatohet në tërësi në korrikun e vitit 2021, kurse reduktimet në uljen e tarifave pritet të nisin nga 1 korriku i këtij viti.