Transmetuar më 03-04-2019, 09:54

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj takoi sot tre punonjësit e Policisë Rrugore, të cilët ndaluan dhe arrestuan në flagrancë grabitësin në Tiranë, në tentativën për t’u larguar. Ministri shprehu vlerësimin maksimal dhe theksoi se ky është modeli i suksesit që duhet nxitur, motivuar dhe përhapur në të gjithë strukturat e Policisë së Shtetit.

“Na duhet pikërisht ky model; modeli i një polici, i cili është vigjilent, është i përgatitur, është profesionist, por është i guximshëm dhe trim për të bërë detyrën. Këtë kërkojnë të gjithë shqiptarët, këtë kërkon gjithë Policia e Shtetit dhe ky është modeli i suksesit, që ne kërkojmë ta nxisim, ta motivojmë dhe ta përhapim në të gjithë strukturat e Policisë së Shtetit”, është shprehur ministri.

Më tej ai nënvizoi se Policia Rrugore duhet të jetë e mirë trajnuar dhe profesioniste, pasi është e para që ndeshet në mënyrë të përditshme me një pjesë të madhe të problematikave të sigurisë që shfaqen në rrugët e vendit.

“Në rrugët e vendit lëvizin edhe të mirat, por edhe të këqijat dhe besoj ju e dini më mirë se kushdo se sa problematikë paraqitet në rrugët e vendit, jo vetëm në kuptimin e shkeljes së rregullave të trafikut apo të qarkullimit rrugor, por dhe në kuptim të sigurisë dhe ne duam dhe kërkojmë që sidomos Policia Rrugore, të kuptojë mirë që nuk është një Polici e thjeshtë për të menaxhuar trafikun, por në radhë të parë është një element i rëndësishëm i strukturave të rendit dhe të sigurisë. Për këtë qëllim jam shumë i gëzuar me veprimin tuaj, sepse keni treguar pikërisht atë që duhet të jetë Policia Rrugore, të ndeshet e para me krimin dhe këtë e keni bërë në mënyrë shembullore. Keni mirënjohjen dhe respektin e shumë qytetarëve shqiptarë. Besoj edhe e keni ndjekur çfarë reagimesh pozitive, gati entuziaste ka patur për atë gjest tuajin”, tha Lleshaj.

Më tej ai nënvizoi se do të merren masat e domosdoshme për mirë pajisjen dhe trajtimin e këtyre strukturave, që të shndërrohen në siguri të shtuar për qytetarët dhe për vendin.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur shpërblim për punonjësit e Rrugores. Ai deklaroi se akti i efektivëve është shembull dhe duhet shtrirë në gjithë strukturat e Policisë.

“Veprimi me iniciativë i tre punonjësve të Policisë, ishte një veprim që ne mundohemi ta përgjithësojmë në gjithë strukturat e Policisë, jo vetëm ato të Policisë Rrugore. Për këtë, me propozim të Shefit të Komisariatit dhe të Drejtorit Vendor të Policisë Tiranë, unë kam firmosur shpërblim për 3 punonjësit e Policisë. Ata e meritojnë, kanë parandaluar një ngjarje duke bërë të mundur prangosjen e autorëve, të cilët kishin konsumuar një vepër të rëndë penale”, tha Veliu.

Tre efektivët e Rrugores ndaluan në kushtet e flagrancës, njërin nga grabitësit e një jave më parë, ku në rrugën e “Barikadave”, pronarit të një exchange në Tiranë, Agron Shima, i morën një sasi lekësh, duke e lënë të plagosur me levë hekuri./a.y/noa.al

Grabitja dhe plagosja e pronarit të exchange, si e kapi polici i rrugores të dyshuarin

Grabitja dhe plagosja e pronarit të exchange, 3 të arrestuar, dyshohen për një tjetër ngjarje