Transmetuar më 02-04-2019, 01:24

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan pësoi një goditje të rëndë nga zgjedhjet lokale të së dielës, kur partia e tij në pushtet, AKP humbi kontrollin e kryeqytetit Ankara, ndërsa në qytetin më të madh të vendit Stamboll, kandidati i opozitës kryeson me numër votash.

Rezultatet paraprake tregojnë se opozita kryeson ndaj partisë Drejtësi dhe Zhvillim të Erdogan, në Stamboll, qytetin më të madh të vendit. Në Ankara, partia Republikane e popullit mori më shumë se 50 për qind të votave, krahasuar me AKP e Erdogan në 47 përqind.

Kjo është hera e parë në 25 vite që partia e Erdoganit humbet kontrollin e kryeqytetit.

Në Stamboll, sipas agjencisë turke të lajmeve “Anadolia”, opozita ka marrë 48.79 për qind të votave ndërsa AKP 48.51 për qind.

Duke folur me gazetarët të hënën, kryetari i Komisionit të Lartë të Zgjedhjeve, Sadi Guven, tha se Ekrem Imamoglu i CHP-së kishte 4, 159, 650 vota ndërsa Binali Yildirim kishte 4, 131, 761 vota.

Ai nuk e sqaroi se sa për qind të votave janë numëruar.

Por vetë zoti Imamoglu tha se kishte 25,158 vota më shumë se rivali i tij, duke shtuar se Komisioni i Zgjedhjeve kishte regjistruar 99.95 të votave.

Erdogan madje ka humbur edhe qytetin e tretë më të madh të vendit, atë të Izmirit, si edhe Antalian, Adanan, etj.

Pavarësisht rezultateve të pakënaqshme në qytetet kryesore, në shkallë vendi, AKP e presidentit, në aleancë me lëvizjen nacionaliste MHP, ka marrë 51.63 për qind të votave ndërsa opozita 37.55 për qind.

Erdogan, që i kishte cilësuar zgjedhjet e së dielës, një çështje mbijetese kombëtare tha në një fjalim para mbështetësve të hënën, se do të përveshë mëngët për të korrigjuar gabimet.

“Njerëzit që bënë premtime të rreme, le të vazhdojnë. Ne do të shohim se si do të qeverisin ata. Ne do të vazhdojmë në rrugën tonë duke mësuar nga gabimet e bëra në këto zgjedhje”, tha Erdogan.

Rezultati në Stamboll ka rëndësi të veçantë pasi Erdogan e ka nisur atje karrierën e tij politike, si kryebashkiak në vitet ’90. Veç të tjerash atje ai kandidoi me një emër të rëndësishëm, atë të ish kryeministrit Benali Yildirim.

Këto janë zgjedhjet e para komunale të mbajtura prej kur Erdogan ka rritur fuqitë e tij ekzekutive më 2017, andaj ky proces është konsideruar test për fuqinë e presidentit turk.

Erdogan dhe partia e tij kanë fituar të gjitha zgjedhjet prej kur kjo parti ka ardhur në pushtet më 2002.

Megjithatë kjo është parti është duke u përballur me opozitë në rritje për shkak të recesionit ekonomik, rritjes së papunësisë dhe inflacionit.

Katër persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, si pasojë e dhunës së lidhur me procesin zgjedhor në gjithë Turqinë.