Biznesi kërkon t’i jepet fund monopolit me kontrollin e automjeteve
Transmetuar më 31-03-2019, 17:28

Konfindustria, duke marrë shkak nga përfundimi i afatit të koncesionit monopolist në fuqi, i kërkon ekzekutivit të përgatisë sa më shpejt legjislacionin për të kryer liberalizimin e plotë të tregut të kontrollit të automjeteve.

Gjergj Buxhuku, Administrator i Përgjithshëm i Konfindustria vlerëson, se liberalizimi i plotë i tregut të kontrollit të automjeteve duhet të jetë i ngjashëm me modelet e zbatuara në të gjitha vendet e Bashkimit Europian dhe në rajon.

Përpjekjet për të përsëritur modelet monopol dhe/ose oligopol të tashme janë të papranueshme, – thotë ai. Në këtë kuptim, Konfindustria mbështet përfundimet dhe kërkesat e bëra së fundmi nga Autoriteti i Konkurrencës për liberalizim të tregut në fjalë.

Konfindustria, mbështetur në shqetësimet e vazhdueshme të ardhura pranë saj nga bizneset vlerëson, se kalimi në monopol privat i shërbimit të kontrollit vjetor të automjeteve ka qenë në kundërshtim të hapur me interesin publik.

Bizneset dhe qytetarët janë ndeshur me rritje të ndjeshme të kostove financiare dhe kohore, që nuk përligjen nga cilësia e shërbimeve të ofruara nga operatori.

Vlerësohet, se vetëm kostot financiare të shërbimit i kanë kushtuar afër 80 milionë euro bizneseve dhe qytetarëve shqiptarë për periudhën e koncesionit.

Shembull i qartë i dështimit të shërbimit koncesionar monopolist ishte vendimi i fundit i qeverisë për ndalimin e hyrjes në vend të automjeteve mbështetur në vitin e prodhimit dhe jo në kontrollin e cilësisë së gazrave.

Z.Buxhuku vlerëson, se modeli i  përdorur në rastin e koncesionit të kontrollit të automjeteve, ka shërbyer edhe si një pararendës negativ për gjithë kontratat e mëvonshme të llojit PPP, koncesionare, etj., të përdorura më shumicë nga ekzekutivi më shumë sektorë të tjerë, që kanë vënë në vështirësi serioze në afatgjatë ekonominë shqiptare. /noa.al/

Lexoni dhe: Shteti gjen shumë probleme tek SGS Automotive Albania, hapat që po ndjek Autoriteti i Konkurrencës