Raporti i DASH: Kosova shënon hapa prapa në luftë kundër korrupsionit
Transmetuar më 30-03-2019, 02:16

Kryetari i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli tha të premten se Kosova ndodhet në një pozitë më të keqe në luftë kundër korrupsionit dhe se sipas tij zhvatja e buxhetit ende po vazhdon.

Ai i bëri këto komente gjatë prezantimit të raportit vjetor të luftës kundër korrupsionit. Ai tha se gjatë vitit 2018 agjencia ka trajtuar 360 raste të korrupsionit që lidhen me keqpërdorimet të pozitës zyrtare dhe deklarim të rremë të pasurisë.

“Personat e përfshirë në hetime dhe kallëzime penale janë deputetë, zëvëndësministra, këshilltarë ministrash, gjyqtarë e prokurorë, dekan e prodekan në universitetit publik”,tha zoti Havolli.

Sipas raportit të Agjencisë Kundër korrupsionit, gjatë vitit 2018 janë parandaluar 119 raste të konfliktit interesit ndërsa 11 raste janë dërguar për hetime në prokurori e polici.

“Korrupsioni më i madh është në ato institucione ku është buxheti i madh, buxheti ndahet më së shumti në nivelet qendrore”,tha kryetari Havolli.

Ai tha se fusha ku shfaqet më së shumti dukuria e korrupsionit është fusha e prokurimit ku janë konstatuar edhe rastet më të shpeshta të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Raporti i organizatës, Transparency International, mbi shkallën e korrupsionit në botë, e ka radhitur Kosovën në vendin e 93-të, ndryshe nga një vit më parë kur ajo ishte radhitur e 85-ta.

Sipas raporteve ndërkombëtare, sfidë për Kosovën në luftimin kundër korrupsionit mbeten transparenca e pamjaftueshme, institucionet e dobëta e sundimi i dobët i ligjit dhe hapësira e pamjaftueshme për angazhimin e qytetarëve.