Transmetuar më 25-03-2019, 16:08

Amerikanët kanë zbardhur detaje dhe nga jeta e Mbretit Zog. Në një dokument të deklasifikuar ata pasqyrojnë një intervistë të dhënë nga Mbretëresha Geraldinë, e cila jep detaje se si u njoh me Zogun dhe si u çudit fillimisht me zakonet shqiptare. Po ashtu ka treguar dhe për atentatet që i bëheshin atij. Në dokumentet e CIA jepen detaje dhe nga situata në vend pas vdekjes së Enver Hoxhës.

14 Prill 1985

Intervistë në programin “60 Minuta” i rrjetit CBS

Prezantuesi Morley Safer: Enver Hoxha, diktatori që sundoi në Shqipëri për 41 vjet, vdiq të enjten. Ai ishte 76 vjeç dhe gjithashtu udhëheqësi komunist që ka shërbyer më gjatë. Në përgatitjen e panoramës tonë për Shqipërinë duhet të pranojnë se përdorën çdo copë filmi që mund të gjenim pasi jo vetëm që në Shqipëri nuk mund të filmohet por thuajse askush nga jashtë nuk mund të hyjë atje. Udhëheqësi Enver Hoxha e mbyllur vendin hermetikisht shumë vite më parë dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjë në këtë aspekt pasuesi i tij. Shqipëria është vendi më i prapambetur në Evropë, i rrethuar nga male të zhveshura nga tre anë, dhe nga deti Adriatik në tjetrën. Ajo ka qenë primitive sipas standardeve të vitit 1912 kur pak e shumë u bë komb, dhe pak më pak primitive në 1985. Shqipëria ka qenë fusha e preferuar e betejës për çdo regjim të Ballkanit, për të cilën kanë luftuar grekët, turkqit, serbo-kroatët apo italianët, ndërsa shqiptarët ishin vetëm viktimat. Prandaj dhe zhvendosjet e tyre drejt maleve janë kthyer në një ritual thuajse sezonal, dhe gjithashtu në cikël masakre e arratisjeje që ka vazhduar prej shekujsh. Shqiptarët shquhen në sektorin e gjakderdhjes pasi janë përfshirë në hasmëri me njëri-tjetrin prej gjeneratash. Por në vitin 1922 erdhi në pushtet Zogu, më i forti i klanit të veriut, ish-ushtar i perandorisë otomane dhe ushtrisë austro-hungareze. Ai e shpalli veten president dhe më pas mbret, dhe u mundua të krijonte një vend të lirë për fshatarët. Në 1938 Zogu ishte në moshë të mesme dhe ende beqar, prandaj mendoi se ishte koha për të gjetur mbretëreshën. I tha ambasadorëve të hapnin fjalën mes mbretërorëve evropianë dhe t’i dërgonin fotografi të kandidateve. Ai zgjodhi një konteshë hungareze me nënë amerikane, 21 vjeçaren Geraldinë Epone, me të cilën u takuam në Paris.

Geraldina: Burri im nuk donte të shihte asnjë nga kandidatët e tjerë.

Safer: Pra pa foton tuaj dhe mbaroi. Si ndjeheni për këtë martesë me ndërmjetësi?

Geraldina: Në fillim më zuri paniku … askush nuk më pyeti dhe nuk e njihja, por pasi u njohën ishte në rregull.

Safer: Pra pasi e patë ishte si një dashuri me shikim të parë?

Geraldina: Po, unë isha 20 vjeçe kurse ai 45 por dukej shumë mirë. Kishte një karakter të madh dhe shumë sens humori.

Safer: Por jo të gjithë shqiptarët janë dakord me këtë. Thuajse kudo që Zogu shkonte, dikush përpiqej ta vriste.

Geraldina: Po dhe kur i qëllonin ai gjithmonë i kundër-përgjigjej. Mbante gjithmonë armë me vete, dhe i ka shpëtuar jetën disa herë.

Safer: Zogu mund të jetë i vetmi kryetar shteti që i kundërpërgjigjet zjarrit të atentatorit.

Geraldina: Epo .. është shqiptar (qesh)

Safer: E thoni në mënyrë krenare …

Gerladina: Sepse ata janë luftëtarë. Janë njerëz që kur e japin fjalën, e mbajnë, zakonisht.

Martesa e Zogut u caktua në Tiranë dhe një festë tillë qyteti nuk kishte parë kurrë. Mbreti zgjodhi kontin italian Ciano, ministër i Jashtëm, si dëshmitarin e dasmës, një zgjedhje për të cilën do të pendohej shpejt. Saktësisht një vit pas dasmës, në 1939 mbretëresha Geraldinë lindi djalin princ Leka dhe po atë ditë Italia pushtoi Shqipërinë. Pra konti Ciano ishte kthyer nga dasma dhe kur kishte shkuar në shtëpi i kishte thënë vjehrrit të tij Benito Mussolini se Shqipëria ishte gati për ta pushtuar. Ushtria e mekanizuar italiane vërshoi në vendin e prapambetur dhe shqiptarët iu ngjitën përsëri kodrave. Zogu, mbretëresha dhe princi u larguan për në Greqi, pastaj Turqi, Rumani, Poloni, Francë, Britani e më pas Egjipt. Mbretëresha kujton ditën e lindjes së djalit, që ishte dhe dita e pushtimit italian.

Geraldina: Desha të shikoja beben dhe më sollën pranë djepin. Por u tmerrova kur në të pashë një revolver. Ishte zakon që duhet ruajtur.

Safer: Mbreti e vuri revolverin aty?

Geraldina: Po, simbolizonte luftëtarin.

Prill 1986

Shqipëria një vit pas vdekjes së Hoxhës

Në Shqipëri Ramiz Alia vazhdon të konsolidojë pushtetin e tij, një vit pasi pasoi në post diktatorin e vjetër në vendin më të izoluar e të prapambetur të Evropës. Por ai përballet me probleme në rritje ekonomike që me shumë gjasa do të vazhdojnë të shkaktojnë tensione dhe brenda udhëheqjes. Alia vazhdon të kultivojë imazhin e tij si pasuesi i zgjedhur i Hoxhës dhe deri tani nuk ka bërë asgjë për të ndryshuar themelet staliniste të sistemit, por është shqetësuar vetëm për të vendosur njerëzit e tij në postet kyçe për të rritur kontrollin ndaj burokracisë. Alia zëvendësoi verën e shkuar shefin e planifikimit dhe vendosi një aleat të tij në sekretariatin e partisë. Në janar ai raportohet se shkarkoi ministrin e Sigurisë Hekuran Isai, edhe pse ai duket se ka ruajtur vendin në Byronë Politike. Disa zyrtarë të tjerë të partisë pritet të shkarkohen, mes tyre ministri i mbrojtjes Prokop Murra, pararendësit e të cilit në post janë spastruar disa herë. Por pozita e Alias dhe ajo e udhëheqësve të tjerë pritet të bëhet më e qartë në kongresin e programuar për në 3-8 nëntor.

Ekonomia

Alia po ruan fiksimin e Hoxhës me vetë-mjaftueshmërinë ekonomike, pas prishjeve të njëpasnjëshme me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik e me Kinën së fundmi në 1978, ndërsa thatësira e vitit të shkuar ka shuar çdo shpresë për mundësi rikuperimi. Çmimet botërore për mallrat shqiptare pritet të mbeten të ulëta në vitet në vijim. Alia për momentin duket i vendosur të ruajë rendin e shtrëngimit ekonomik sesa të kërkojë një padron të ri komunist, apo të heqë dorë nga ndalimi i Hoxhës për kreditë e huaja. Sipas shtypit perëndimor punëtorët shqiptarë përballen me vështirësi të shumta dhe së shpejti pritet të nisë brenda udhëheqjes debati për strategjinë ekonomike.

Zgjerimi i kontakteve

Alia ka ruajtur gjithashtu iniciativën e viteve të fundit të Hoxhës për zgjerimin e kontakteve të huaja dhe të tregtisë me Perëndimin për të përfituar nga teknologjia e re. Në 1970 Tirana kishte marrëdhënie diplomatike vetëm me 27 vende, ndërsa tani ajo komunikon me më shumë se 100, duke përfshirë dhe Evropën Perëndimore. Marrëdhëniet e saj të mira me Italinë janë rënduar por jo prishur nga çështja e gjashtë shqiptarëve që kërkuan azil politik në ambasadën italiane në Tiranë ku janë të ngujuar prej dhjetorit. Shqipëria po përpiqet të gjejë zgjidhje për çështjen. Në mars Tirana dhe Bon kryen raundin e tyre të katërt të bisedimeve dhe megjithë disa çështje të pazgjidhura ata mund të rivendosin marrëdhëniet diplomatike vitin që vjen. Marrëdhëniet me Greqinë gjithashtu vazhdojnë të përmirësohen, edhe pse ngadalë. Sipas raportimeve të fundit Athina planifikon të njoftojë në maj heqjen e gjendjes ekzistuese të luftës me Shqipërinë që ekziston që prej Luftës II Botërore. Alia po ndjek gjithashtu drejtimin e Hoxhës për lidhjet ekonomike me vendet e bllokut sovjetik dhe me Kinën, të cilat dhe mund të pranojnë produktet e cilësisë inferiore të eksportit shqiptar. Në fillim të dhjetorit Shqipëria nënshkroi akordin e saj të parë pesë-vjeçar me Kinën që prej mesit të viteve 1970-të. Por Alia po kujdeset që këto kontakte në rritje, si me lindjen dhe me perëndimin të mos kenë pasoja në institucionet e izoluara sociale dhe politike të vendit. Frika e vazhdueshme të Shqipërisë nga qëllimet jugosllave preokupojnë dhe udhëheqësit aktualë, si dhe shqetësimi për trajtimin e minoritetit shqiptar prej rreth 2 milionësh në Kosovë. Këtij shqetësimi i janë shtuar protestat e kohëve të fundit në Serbi për autonominë e provincës së Kosovës. Gjithsesi dy palët pritet të hapin hekurudhën e parë mes dy vendeve këtë vit.

Superfuqitë

Alia ka vazhduar me politikën e armiqësisë së hapur me dy superfuqitë SHBA dhe BRSS, si një binar kryesor o politikës së jashtme. BRSS ka tentuar krijimin e kontakteve me Shqipërinë, por Tirana ka refuzuar me forcë hapjet, prandaj dhe nuk shihen mundësi riafrimi. Kombet perëndimore, të cilat janë të ndjeshme ndaj kërcënimit sovjetik, po mundohen ta mbështesin Alian duke marrë në konsideratë kërkesat e tij dhe duke minimizuar kritikat. Por gjithsesi ato do të hasin në problemet e vetizolimit të Tiranës dhe të shtypjes së të drejtave të njeriut në vend, që herët a vonë do të përmenden në marrëdhëniet mes dy palëve.