Transmetuar më 22-03-2019, 19:10

Kryeministri Edi Rama hedh poshtë çdo mundësi që Shqipëria të jetë e përfshirë në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për gazetën zvicerane ‘Neue Zurcher Zeitung’, kreu i qeverisë shqiptare thekson se për mundësinë e ndryshimit të kufijve duhet të vendosin vetëm Prishtina e Beogradi.

“Se si duhet të duket marrëveshja përfundimtare, duhet të vendosin Kosova dhe Serbia. Shqipëria do të mbështesë çdo marrëveshje që gëzon mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Shteteve te Bashkuara të Amerikës”, shprehet Rama.

Lidhur me çështjen e quajtur Mini-Schengen në Ballkan, Rama thekson se kontrollet kufitare duhet të zbuten në të gjithë rajonin.

“Ne duam të prezantojmë modelin Schengen në kontrollin kufitar në të gjithë rajonin”. Është një qëndrim proaktiv ndaj të ardhmes. Ne duam të jemi pjesë e Europës dhe një ditë pjesë e sistemit Shengen”, shton ai.