Transmetuar më 22-03-2019, 15:32

Kryeministri Edi Rama ka sqaruar sot qëllimin e vizitës së tij në Berlin. Ai ka thënë se nuk ka probleme me shëndetin siç ka qarkulluar në disa media.

Në rubrikën “Përgjigja ime” në Facebook, Rama ka thënë se nuk ka pësuar asnjë problem shëndetësor, por ka shkuar në Gjermani për të takuar miqtë e BE dhe për t’i sqaruar rreth problemeve të Shqipërisë dhe baltën që sipas tij po hedh opozita, ndërsa ka njoftuar se ata që sajuan lajmin se ndodhej në spital i sëmurë do i dërgojë në gjyq.

“Sikur e shihni jam mirë, nuk jam në spital në Berlin, por zyrë në Tiranë. Njerëz jemi edhe mund të sëmuremi, por ky nuk ishte rasti. në Berlin isha për hall, por jo për shëndetin tim, por për t’u shpjeguar partnerëve shfaqet e opozitës dhe për celjen e negociatave dhe për të kuptuar më shumë për situatën politike mbi vendet kyçe për negociatat.

Ishte vizitë joformale me ish-presidentë, ish-kryeministra dhe bisedat në Bundestag. Mos bërja e emrave të tyre është pjesë e etikës së takimeve joformale. Fatkeqësisht shumë miq këtu në Shqipëri dhe jashtë, që qeshën me këtë historinë e sëmundjes. Ataku në zemër sajesë e kazanit të opozitës tonë rrugë humbur, kjo do të thotë të prekësh fundin. Me keqardhjen për shqetësimin që është krijuar, nuk më mbetet gjë tjetër veçse ti mëshiroj. Do u kërkoj që të përgjigjen në gjyq dhe të përgjigjen për sajesën", u shpreh Rama.

Më tej ai është shprehur se sot PS po përgatiten për Kongresin nesër, ku fton të vinë në orën 12:00 në sheshin Nënë Tereza, për ciklin ‘bashkia që duam’. "Nesër është dita e ndezjes së motorëve elektoralë për të gjitha bashkitë. Ne jemi gati të bëjmë atë që dimë, rruga e ndryshimit është e hapur dhe e prekshme, por edhe kudo që duam ta hapim në bashkitë e shkreta që kanë mbetur peng i kundërshtarëve tanë, por do të flasim nesër. Kushdo që dëshiron është mirëseardhuar”, tha Rama./b.l/noa.al/