Transmetuar më 22-03-2019, 15:46

Ndeshja Shqipëri-Turqi ka shtuar lëvizjen në qytetin e Shkodrës. Kudo rrugët janë mbushur nga flamuj kuq e zi dhe simbolet të tjera duke i dhënë një tjetër ngjyrë qytetit. Në rrugën e cila të çon tek stadiumi “Loro Boriçi” gjenden disa tifozë të veçantë. Fëmijët e kopshteve kanë dalë në mbështetje të kombëtares.

Në rrugët kryesore që të lidhin me stadiumin policia ka bllokuar hyrjen duke mos lejuar kalimin e mjeteve por vetëm të këmbësorëve. Po ashtu pak orë para ndeshjes edhe akse të tjera do të bllokohen ndërsa janë përcaktuar vendet e parkimeve në periferi të qytetit.

Deri një ditë para ndeshjes numërohen rreth 8 mijë bileta të shitura ndërsa në sportelin e stadiumit ka një interesim pak orë para ndeshjes edhe pse jo aq i madh sa mund të pritej.

Ndwrkohw me seancën e fundit stërvitore në stadiumin e ndeshjes, Kristian Panuçi ka shuar edhe dyshimet e tij të fundit në lidhje me formacionin që do të zbresë në fushë nga minuta e parë për ndeshjen kundër Turqisë.

Ashtu siç bëri në sfidat e fundit në Kupën e Kombeve tekniku nuk do t’i hyjë asnjë aventure të rrezikshme sulmuese dhe moduli 4-2-3-1 i jep kuqezinjve më shumë ekuilibër në prapavijë, por edhe mundësinë për të goditur me kundërsulme të shpejtë.

Në këtë mënyrë, përpara portës së Berishës do të rreshtohen Hysaj e Veseli në krahë, ndërsa në qendër Gjimshiti dhe Ismajli me këtë të fundit që ka fituar balotazhin me Ajetin.

Në mesfushë nuk ka ndryushime nga ajo që Panuçi kishte paralajmëruar që nga seanca e fundit stërvitore në grumbullimin e skuadrës kuqezi. Xhaka dhe i rikthyeri Abrashi japin grintë dhe forcë, ndërsa organizimi i aksioneve sulmuese do t’i besohet Memushaj.

Pasi alarmoi kuqezinjtë të mërkurën kur la përgjysmë seancën e paradites, Armando Sadiku do të zbresë në fushë nga minuta e parë, ndërsa sulmuesin e vetëm të deklaruar do ta ndihmojnë nga krahët Uzuni e Grezda, dy lojtarë të shpejtë dhe me aftësi teknike nga të cilët Kristian Panuçi pret shumë në ndeshjen e mbrëmjes së sotme.