Rama sjell historinë e familjes Xali, çfarë ndodhi me shtëpinë e vjetër në “Kala”
Transmetuar më 16-03-2019, 08:39

Kryeministri Edi Rama e ka nisur këtë të shtunë me historinë e një familje beratase, banesa e së cilës është dëmtuar shumë nga vitet.

“Me historinë e dikujt që kërkoi dhe gjeti ndihmë në platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al, ju uroj një fundjavë të qetë”, shkruan Rama.

Një nga banoret e shtëpisë Valentina Xali, në letrën dërguar platformës, shkruan se familja e saj dhe ajo, janë pronarë të shtëpisë që ndodhet në lagjen “Kala” Berat.

“Shtëpia ka qenë dhe ruhet jo vetëm si “monument kulture” por edhe nga UNESCO. E gjithë bota investon për ti mirëmbajtur këto shtëpi karakteristike si monument kulture të trashëguar në katër breza. Familja ime ka bërë shumë kërkesa në institucionet përkatëse dhe asnjë nuk është marrë parasysh”, shkruan Valentina.

Pas letrës së saj, në shtëpinë e vjetër beratase kanë nisur restaurimet, duke bërë që shqetësimet e familjes Xali të gjejnë zgjidhje. /a.y/noa.al