Transmetuar më 15-03-2019, 13:00
Ambasadori i BE, Luigi Soreca

Pas qëndrimit të fortë të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila kërkoi që të mos ketë dhunë në protestën e nesërme, ndërsa Qeveria u quajt legjitime, dhe opozita u kritikua se pengonte vijimin e punës së saj, vjen një tjetër reagim nga Bashkimi Europian.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë e cilëson si shumë urgjente që të kapërcehet situata politike aktuale duke krijuar një platformë kombëtare për dialog ndërmjet të gjitha palëve të interesuara, edhe duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme lokale të qershorit.

“Shqipëria ka nevojë për një dialog ndërpartiak për reformat më urgjente, duke përfshirë reformimin e kuadrit ligjor zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE/ ODIHR-it. Protesta është një shtyllë qendrore në çdo shoqëri demokratike, por duhet ushtruar në mënyrë paqësore, pa përdorur dhunën. Asnjë formë e nxitjes së dhunës nuk është e tolerueshme. Ne u bëjmë thirrje edhe një herë të gjithë liderëve të partive që të tregojnë përgjegjësi për të shmangur çdo përshkallëzim gjatë protestave”, thuhet më tej.

Lidhur me heqjen e mandateve thuhet se pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri dhe ndikon në integrimin e vendit në BE, duke cituar se është një perspektivë që e duan plotësisht 93% e qytetarëve shqiptarë.

“Ne vazhdojmë të mbështesim ata që janë të angazhuar në procesin demokratik në Parlament, gjithashtu në mbrojtjen e interesave të popullsisë shqiptare që dëshiron të vazhdojë të ecë drejt BE-së. Që prej qershorit të kaluar është bërë progres, veçanërisht në reformën në drejtësi, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar, por ka ende shumë punë për të bërë në tre muajt e ardhshëm”, thuhet më tej. /a.y/noa.al

Nesër protesta, ambasada e SHBA “shuplakë” opozitës: Qeveria legjitime, lëreni të punojë