Deputetët francezë në Tiranë: Të gjendet zgjidhje për situatën politike
Transmetuar më 15-03-2019, 11:20

Dy deputetë francezë Jacques Maire dhe Liliana Tanguy, të cilët ndodhen në Tiranë në një vizitë zyrtare, thonë se nuk duan të përfshihen në çështjet e brendshme të Shqipërisë.

Pas një takimi që patën ditën e sotme me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, Maire, tha se, kanë pasur takime edhe me qeverinë edhe me opozitën.

“Ne e kuptojmë qëndrimin e secilës parti. Për momentin nuk duam të ndërhyjmë në debatin e brendshëm shqiptar. Por unë mendoj që për të patur sa më shumë sinqeritet në vendimmarrje këtu në Shqipëri, duhet edhe një konsensus nga ana e publikut. Duhet të kemi një lloj sqarimi si Shqipëria i trajton marrëdhëniet me vendet fqinje. Ne duam të kemi parasysh edhe përpjekjet që bën Shqipëria për reformat, sidomos për reformën në drejtësi.

Kemi nevojë për institucione që funksionojnë. Unë besoj se shqiptarët do të gjejnë zgjidhje për këtë”, u shpreh Maire.

I pyetur nëse Franca do të thotë “po” për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian me Shqipërinë, ai tha se nëse zgjerimi do të ishte diçka për të frikësuar qytetarët për zgjerimin e BE, edhe kjo mund të ndodhë. /a.y/noa.al