Rama te Bujqësori: 1 milion euro për fermën e parë! Hapet thirrja e dytë për ekselentët në administratë
Transmetuar më 15-03-2019, 09:56

Kryeministri Edi Rama u ndal paraditen e sotme në Universitetin Bujqësor, ku tha se qeveria ka akorduar 1 milion euro, për krijimin e fermës së parë didaktike.

Në fjalën e tij Rama tha se më në fund Bujqësori do të ketë kompaninë e tij, ku do të ketë ndërthurje mes punës shkencore dhe tregut dhe do të sigurohen të ardhura për vetë Universitetin, si një kompani fitimprurëse.

Kreu i qeverisë deklaroi se do të bëhet edhe trajtimi i specialistëve në territor, por tha se do të jetë edhe një model agroturizmi për të mbajtur vizitorët.

Ai tha se aktualisht Universiteti është në fazën e një rilindje të vështirë, pasi vjen nga një periudhë e gjatë dramatike, duke thënë se edhe bibliotekës së vetë ju vu zjarri, ndërkohë që territoret ju vodhën dhe grabitën, duke shtuar koston për rilindjen e universitetin, pasi duheshin paguar fonde për pronat e zaptuara padrejtësisht.

“U desh të kaloni thuajse tri dekada për të filluar çlirimin e universitetit nga pikëpamja territoriale. Në universitet dhe rektorat nuk u qëndrua në pasivitet por u punua për një masterplan të mirëfilltë, që është një udhërrëfyes deri në vitin 2030, për një qendër për hartimin dhe zbatimin e praktikave bujqësore dhe zhvillimit rural në vend”, u shpreh Rama.

Sipas tij, gjërat rrodhën në drejtimin e duhur në sajë të protestës së studentëve, duke nënvizuar se sot procesi i ndërtimit të partneritetit mes ministrive dhe sektorëve të interesit reciprok, ka nisur të krijojë dosjet e projekteve që do të përfshihen në programin e financimit për transformimin e gjithë zonës universitare të vendit.

Ai tha se universitetet do të kthehen në një kantier të madh ku do të investohet në bazë të kërkesave dhe projekteve të miratuara në bashkëpunim me qeverinë.

Lidhur me punësimin e studentëve më të mirë në administratë, tha se është një angazhim afatgjatë i Paktit për Universitetin, duke shtuar se është hapur thirrja e dytë në platformën “Punë të Mbarë”, duke thënë se do përthithen kapacitetet më të mira që dalin nga universiteti. /a.y/noa.al