Rudina Hajdari: Politikë e vjetër nuk përfaqëson më, s’mund të rrimë duarkryq
Transmetuar më 14-03-2019, 15:55

Deputetja Rudina Hajdari e cila nuk pranoi të dorëzonte mandatin duke mbajtur mbi shpinë koston e përjashtimit nga partia që dikur themeloi babai i saj Azem Hajdari ka takuar sot ambasadoren e Gjermanisë në Tiranë, znj. Sussane Shütz.

Hajdari e ka ndarë këtë takim me një postim në Facebook, teksa ka thënë se ndërkombëtarët janë të shqetësuar për situatën në Shqipëri.

“Diskutuam për situatën e vështirë dhe shumë delikate në të cilën ndodhet vendi dhe institucionet Shqiptare aktualisht. Miqtë tanë Evropianë dhe Gjermanë janë tepër të shqetësuar për krizën politiko-institucionale në vend ashtu sikurse është i shqetësuar çdo qytetar Shqiptar. BE kërkon me të drejtë përgjegjshmëri të lartë dhe integritet nga politikanët Shqiptare, nga qeveria dhe opozita”, shkruan Hajdari.

Për të zgjidhje nuk është as vendimi i marrë nga PD për djegien e mandateve dhe as arroganca e qeverisë. Thirrja e saj i drejtohet shqiptarëve, të cilët siç thotë nuk duhet të rrinë duarkryq përballë kësaj situate.

“Është e papranushme që politika në tërësi të vazhdojë me modelin e vjetër që nuk përfaqëson aspak qytetarët Shqiptarë, aspiratat, qëllimet dhe vlerat e tyre. Dorëzimi në bllok i mandateve nga ana e opozitës nuk është zgjidhje ashtu siç nuk është aspak zgjidhje arroganca qeveritare.

Sjellja e politikës Shqiptare sot është modeli më i keq i mundshëm që po i ofrojmë qytetarëve Shqiptarë dhe sidomos të rinjve. Nuk mund të rrimë duar-kryq dhe të presim që ky ngërç i paprecedent politiko-institucional të zgjidhet vetë. Situata mund të agravojë kur aktorët nuk vlerësojnë siç duhet rrethanat.

Të gjithë aktorët kanë detyrimin që të reagojnë sa më parë për të orientuar një zgjidhje politike të gjithëpranueshme për krizën e paprecedentë në cilën gjendet sot Shqipëria, për një zgjidhje që siguron në radhë të parë interesin qytetar dhe kombëtar, pa ceduar demokracinë me qëllim që të ndikojmë pozitivisht të ardhmen e Shqipërisë dhe anëtarsimin e saj në BE”, përfundon deputetja./b.l/noa.al/.