Transmetuar më 14-03-2019, 13:27

Policia e Shkodrës thotë se në vijim të operacionit të koduar “Maranaj” ku u godit një grup që jepte para me fajde, rreth mesditës është vënë në pranga një person i shpallur në kërkim.

Kështu u arrestua në Pikën e Kalimit Kufitar, Qafë Morinë, I. S., 38 vjeç, banues në Shkodër.

Ai u ndalua ndërsa po udhëtonte në drejtim  të Kosovës në tentativë për t’u larguar jashtë vendit.

Aktualisht operacioni po vijon për kapjen edhe të katër personat e tjerë të shpallur në kërkim.

Lidhur me këtë operacion ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj i cili thotë, “Maranaj”, për një Shkodër e Shqipëri të lirë nga krimi. Policia e Shtetit dha sot një tjetër goditje madhore kundër krimit të organizuar dhe financave të tij. Ky sukses motivon më tej Policinë dhe qytetarët për të vijuar së bashku përpjekjen për Shqipërinë evropiane”.

Si u zbulua grupi i personave që jepnin para me fajde

Policia e Shkodrës doli në një konferencë për mediat mesditën e sotme lidhur me operacionin e koduar “Maranaj”, gjatë të cilit u godit një grup që jepte para me fajde. Bëhet me dije se gjatë këtij operacioni të zhvilluar në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje janë arrestuar 11 persona dhe pesë të tjerë janë shpallur në kërkim.

Pas një hetimi disamujor u siguruan prova për 19 të dyshuar, për veprat penale të “Pastrimit të Produkteve të Veprës penale”, “Ushtrim aktiviteti financiar të palicensuar”, “Shpërdorim detyre”, “Prodhim dhe Mbajtje pa leje e armeve luftarake dhe municioneve” dhe “Moskallëzim krimi”.

Gjatë hetimit janë krijuar dyshime të arsyeshme si dhe janë gjetur e sekuestruar prova materiale që hedhin dritë mbi aktivitetin e tyre kriminal.

Në vazhdim të hetimit me vendim të Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër u dhanë 19 masa sigurie, nga të cilët 16 masa arrest me burg; dy masa “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi Publik”; një masë sigurimi “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, si dhe 22 masa të tjera për kontrolle banesash e ambientesh.

Të arrestuarit janë B. A., 61 vjeç nga Shkodra; E. M., 33 vjeç nga Shkodra; A.B., 22 vjeç, nga Shkodra; Artan Dragani, 39 vjeç nga Shkodra; M.B., 31 vjeç nga Shkodra; V.N., 37 vjeç lindur në Podgoricë dhe banues në Shkodër; E.F., 38 vjeç nga Shkodra; E.Q., 41 vjeç, nga Shkodra; P.V., 54 vjeç nga Shkodra; L.S., 48 vjeç nga Shkodra dhe N.A., 52 vjeç lindur në Pukë dhe banues në Tiranë.

Ndërkohë u ekzekutua masa e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi Publik” dhe “Detyrim Paraqitje” për tre noteren Valbona Hajdari, A.S., nga Shkodra dhe efektivin e policisë Ergys Lohja.

Gjatë operacionit dhe kontrolleve u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale 238 600 euro, 272 400 dollarë, 414 000 lekë, 510 Paund Britanik, 20 automejte transporti, një revolver, një krehër pistolete me fishekë; një armë gjahu pa leje; 5 kompjutera laptop; 50 celularë.

Gjithashtu u sekuestruan dokumente, kontrata, akte dhe deklarata noteriale, për pasuri e transaksione financiare të dyshuara.

Aktualisht vazhdojnë hetimet financiare për dokumentimin e të gjitha pasurive të vëna nga aktiviteti kriminal, me qëllim sekuestrimin, konfiskimin dhe rikuperimin tek viktimat e krimit.

Në këtë operacion morën pjesë 160 forca policore dhe 30 automjete të policisë, përfshirë edhe automjete për transportim mjetesh transporti.

Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon veprimet për të zbardhur rolin dhe aktivitetin e tyre apo personave të tjerë të lidhur me ta. /a.y/noa.al

Si u zbulua grupi i personave që jepnin para me fajde, emrat e zyrtarëve të përfshirë

Prokuroria jep detaje për grupin e fajdexhinjve, mes tyre noterja, polici dhe ish-kancelari i gjykatës

FNSH dhe RENEA ndërhyjnë në Shkodër për paratë me fajde, 14 të arrestuar