Vuçiç: Prishtina shënoi fundin e dialogut. Haradinaj: Jo jemi të interesuar
Transmetuar më 13-03-2019, 16:38

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi sot se Prishtina zyrtare me miratimin e platformës shënoi fundin e dialogut. Vuçiç tha se nuk e di se çfarë do të jenë lëvizjet e ardhshme të Prishtinës, por Serbia do të mbetet e angazhuar për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Sipas tij, Serbia ‘po sillet me përgjegjësi’, për shkak se ‘ka përmbushur të gjitha detyrimet’ sipas marrëveshjes së Brukselit, dhe në të njëjtën kohë është përmbajtur pas vendosjes së taksës për mallrat serbe.

Ndwrsa kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka pritur në një takim sot, Drejtorin e Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore. Përmes një statusi në ‘Facebook’, Haradinaj shkruan se ka biseduar në këtë takim për zhvillimet politike në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

“Me Drejtorin e Përgjithshëm për Çështje Politike në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, bashkëbiseduam për zhvillimet politike në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor.

E vendosur për stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon, Kosova është thellësisht e interesuar për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë, në thelb të së cilës qëndron njohja reciproke në kufijtë ekzistues, përfshirë kapitullin e tregtisë së lirë.

Kosova ka folur me një zë dhe për këtë ka votuar në Kuvend Ligjin dhe Platformën për Dialog, që përfaqëson unitetin e institucioneve tona. Mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për Kosovën dhe qëndrimin e palëkundur në ruajtjen dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj.”-shkruan Haradinaj./b.l/noa.al/