Transmetuar më 13-03-2019, 13:36

Lëvizja Socialiste për Integrim i ka dërguar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ditën e sotme, lidhur me kandidatët që pranojnë të marrin mandatin e deputetit.

Në letër thuhet se çdo individ i listave shumemërore të LSI që pranon mandatin e deputetit, nuk përfaqëson as formalisht, as ligjërisht dhe as politikisht Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Në vijim thuhet se për këtë arsye edhe “dhënia e mandatit çdonjërit prej tyre është antikushtetuese dhe antiligjore”.

Më tej sqarohet se në zgjedhjet politike të 25 qershorit në përputhje me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, qytetarët kanë votuar për partitë politike dhe jo për individët.

Më poshtë mund të gjeni edhe letrën e plotë të LSI drejtuar KQZ.

Kjo letër vjen pas “rrjedhjeve” në radhët e LSI të kandidatëve që pranojnë mandatin e deputetit.

Në seancën e sotme parlamentare u betuan si deputetë Elda Hoti e LSI, Erdiola Braha e LSI, Edlira Hyseni e LSI dhe Lefter Maliqi, Majlinda Halilaj, Ligoraq Karamelo, Alban Zenelin nga radhët e Partisë Demokratike.

Ndërkohë javën e kaluar morën mandatin në KQZ dhe më pas u betuan në Kuvend, Edmond Rushiti, Ylli Shehu, Enver Roshi dhe Ediola Braha në radhët e LSI.

Gjithashtu në KQZ kanë dorëzuar formularin e vetëdeklarimit dy kandidatët e LSI, Ralf Gjoni dhe Nimet Musaj, duke pranuar kështu të marrë mandatin e deputetit

Kujtojmë se qysh në krye të herës Lefter Koka i LSI refuzoi të djegë mandatin, ashtu si Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari e PD. /a.y/noa.al

Parlament, betohen shtatë deputetët e rinj të opozitës

I doli kundër LSI, Lefter Koka: Çdo njeri në Parlament përfaqëson veten e tij