Transmetuar më 13-03-2019, 11:49

Nga Shkodra ku mori pjesë në analizën vjetore të Prokurorisë së këtij rrethi, kryeprokurorja Arta Marku bëri një deklaratë të fortë për politikën.

Ajo tha se politika ka ndërhyrë në punën e prokurorëve dhe në këtë drejtim, kërkoi prej tyre që të mos ndikohen politikisht.

“Viti që shkoi nuk ka qenë jo i lehtë, pasi për shumë prej jush ka filluar procesi i vetingut.

Shpesh herë jeni ndjerë të pasigurt dhe kjo ka ndikuar në punën tuaj dhe keni qenë të pamotivuar. Përveç kësaj, në qendër të çdo konflikti apo debati politik u është referuar ju.

Politika i ka dhënë vetes të drejtë që të gjykojë çdo çështje që mund të ketë prekur interesat e saj, pa patur dëshirë dhe vullnet për të pritur, për të lejuar prokurorët të bëjnë punën e tyre.  Duke marrë shkas nga përfolja që politika i ka bërë prokurorisë, të njëjtën gjë ka bërë edhe opinionin publik edhe media”, u shpreh Marku.

Sipas saj, terreni ku prokurorët kanë ushtruar funksionin e tyre ka qenë i vështirë, por pavarësisht kësaj, kërkoi prej tyre më shumë përgjegjshmëri në çdo vendimmarrje.

Në këtë drejtim ajo nënvizoi se pavarësi do të thotë përgjegjësi e shtuar, dhe jo pavarësi nuk do të thotë kaos ku secili të interpretojë ligjin sipas ligjit apo interesit.

“Keni mundësinë që të pandikuar nga askush të jepni më të mirën në çdo vendimmarrje.

Do të kërkoja prej jush që të mos e shikoni procesin e vettingut si një ndëshkim, por si një mundësi për rikthimin e dinjiteti. Vazhdoni të punoni dhe keni gjithë mbështetjen time institucionale dhe personale. Po kështu keni mbështetjen e faktorit kombëtar dhe ndërkombëtar”. /a.y/noa.al

Arta Marku, porosi nga Shkodra on Vidnews.