Transmetuar më 13-03-2019, 11:41

Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët me Kryeministrin e Republikë së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë, tha se marrëveshja e Prespës, i dha fund një ngërçi shumë vjeçar dhe hapi rrugën e anëtarësimit në NATO si dhe çliroi energjinë e madhe pozitive për ecurinë e mëtejshme në rrugën e përbashkët të integrimit në Bashkimit Europian.

Ai tha se për Shqipërinë, Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është thjesht një shtet fqinj, por një vend mik dhe i pazëvendësueshëm, marrëdhënia e të cilit konfirmohet përmes parimeve dhe vlerave më të mira që na bashkojnë si dy vende që i përkasin Europës dhe që do jenë së bashku në tryezën e familjes europiane.

“Ju jemi mirënjohës që me një kurajo të pazakontë dhe vizion largpamës çelët rrugën e një nevoje të jashtëzakonshme mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Për ne seanca e Kuvendit tuaj ku u fol shqip ishte simbolikisht por edhe përmbajtësisht një moment historik dhe një arsye më shumë që ne të vazhdojmë të jemi promotor të idesë se integriteti dhe stabiliteti i Maqedonisë së Veriut është interes strategjik i Republikës sonë”, u shpreh Rama.

Ai tha se kufijtë mes vendeve Shqipërisë dhe Maqedonisë, duhet të jenë po aq fluidë sa janë në vendet e Bashkimit Europian, duke bërë që të hyhet dhe dilet nga të dyja shtetet pa asnjë pengesë dhe kontroll.

“Ka ardhur koha të përgatitemi për mbledhjen e dytë të qeverive, duke pritur ftesën tuaj zyrtare se duhet të jeni ju që të na mirëprisni dhe të paguani shpenzimet e drekës,

besoj se do keni dakordësi të plotë me partitë e koalicionit për të ndarë shpenzimet”, tha ndër të tjera Kryeministri shqiptar.

Nga ana e tij Zaev tha se mbledhja e dy qeverive do të mbahet verë pas zgjedhjeve presidencale në Maqedoni dhe pas atyre lokale në Shqipëri. /a.y/noa.al