Rrëfehet Cana: Kam qenë “Don Zhuan”, flas 8 gjuhë të huaja
Transmetuar më 12-03-2019, 20:22

Ish-kapiteni i kombëtares sonë, Lorik Cana tashmë ka varur këpucët në “gozhdë”, por vazhdon të jetë ende pranë futbollit.

Cana ka rrëfyer për jetën e tij personale dhe fillimet e njohjes me bashkëshortjen e tij, Monika. Gjithashtu, për “My Living”, ish-mbrojtësi zbulon se arrin të flas 8 gjuhë të huaja.

“Një nga pasionet që kam ndjekur është ai që kam për historinë. Edhe gjatë ushtrimit të profesionit, udhëtimet apo grumbullimet më kanë dhënë mundësinë të lexoj sidomos për historinë e popullit tonë.

Pasioni tjetër është pjesa e makinave. Është vërtetë stereotipi i djemve që kanë qejf makinat e bukura. Po përtej makinave të bukura mua më ka pëlqyer shumë sporti automobilistik. Kam marrë disa here leksione dhe kam hipur dhe me pilot të Formula 1, si Jean Alesi. Nuk i kam dhënë vetë por kam arritur deri  në 350 km/h”

Keni qenë Don Zhuan, pasi futbollistat njihen për të tillë?

“Pikërisht ashtu, më një D të madhe dhe me një Zh të madhe”.

Lorik sot në shtëpi si zhvillohet dita jote? Një ditë tipike? Si është mëngjesi?

” Në mëngjes ne zakonisht çohemi bashkë, djali është në dhomën e tij. Çohet në mëngjes nuk na lejon që të flemë, kur është shumë herët para orës shtatë merret gjysmë ore dado me të, dhe kur vjen ora tetë vjen e hap derën, bërtet, futet në krevat dhe na zgjon. Zgjimi më fantastik për çdo prind. Pastaj vjen pjesa e mëngjesit.”

Kush e gatuan mëngjesin?

“Zakonisht me pjesën e mëngjesit merret nusja.”

Çfarë ha për mëngjes?

” Fruta në mëngjes, bukë të thekur me pak marmelatë, lëng portokalli, çaj ose kafe. Ose kur kam aktivitet mundohem të haj drithëra me kos, që të kem energji, dhe fillon dita.

Ne e ndajmë ushqimin në mënyrë që mëngjesi të ketë dhe fruta dhe karbohidrate, dreka perime ( të pranishme në çdo vakt) por dhe pak proteina dhe karbohidrate. Në darkë nuk ha karbohidrate se më ndihmojnë të mbaj stabile peshën.”

 I lan enët?

” Jo nuk i laj se jam i llastuar. Kam gruan dhe dadon që merren me këto punë.”

 Po ama gatuan?

” Shumë pak.”

 Çfarë do kishe gatuar?

“Do kisha gatuar një peshk,  një levrek në furrë. Nuk është e vështirë sepse duhet të dish kohën kur gatuan peshk. Do bëja një salcë të thjeshtë me vaj ulliri, hudhër, limon të cilën do e shoqëroja dhe me erëza. Anash do bëja ca argjinare të thjeshta me pak oriz të bardhë. Do e shoqëroja kështu.”

 Kohë e fundit je vendosur ne Shqipëri?

” Dy vitet e para mbasi u shkëputa nga futbolli, me vajtje e ardhje. Që nga gushti jemi me stabël në Shqipëri. Në Kosovë shkoj shpesh. Kam dëshirë të kthej këtë kohën e Kosovës që më ka munguar për gjithë këto vite, kështu tani çdo dy javë jam atje.”

 Ndërkohë Monika dhe djali si e kanë pritur faktin që  po qëndrojnë kaq gjatë në Shqipëri?

” Nusja e ka marrë më shumë dëshirë. Ajo ka ardhur disa herë. Por, fakti që kemi patur miq para se të vinim , që kemi gjetur dhe kemi bërë miq të rinj, marrëdhënie miqësore, shoqëri për Monikën dhe djalin është pozitiv. Kemi fatin që jemi në një vend të mrekullueshëm më një kohë dhe ushqim të mrekullueshëm. Të marrë më të mirën e kohës.”

Ka pasione djali?

“Makinat, është i çmendur mbas makinave. I njeh markat, modelet, i ka qejf avionët. Vetëm na pyet kur do ikim diku që të marrë avionin.  E do shumë topin, e përzien midis këmbëve dhe duarve. Unë do e shtyja që të merrej me sportin. Cilido që i pëlqen më shumë, por do të doja që sporti të zinte një rol të rëndësishëm në jetën e tij.”

Nëse do vendoste të behej futbollist?

“Ne do e ndihmojmë në çdo drejtim.”

 Sa gjuhë flet Lorik Cana?

”  Nga ato që flas mirë,  anglisht, frëngjisht, italisht dhe shqip. Gjermanisht jam shumë mire, në gjuhën serbo-kroate gjithashtu. Kam një bazë të vogël të turqishtes, sa mos jem i humbur, ndërsa gjuhën spanjolle e kuptoj shumë mirë por nuk e kam praktikuar në të folur. Frëngjishtja dhe italishtja më ndihmojnë shumë me spanjishten.”

Ke qenë nja nga futbollistet që vishej më bukur, sot çfarë marrëdhënie ke më stilin?

” Duhet të jem i sinqertë më ty, unë 90 të kohës vishem me tuta. Por,  nusja ka ndikuar në mënyrë  jashtëzakonisht shumë pozitive dhe cilësore në mënyrën si vishem, sidomos prej që jemi bashke. Dihet që nuk i krahasojmë dot italianët  me shijet e një vendi tjetër.”

  Është bërë një dokumentar për ty, me trego pak për projetkin?

“Projekti mori jetë 6 muaj mbasi e kisha lënë futbollin. Nuk e kisha absolutisht në plan të bëja diçka, qoftë një libër.

Pastaj thashë pse jo, sepse për të bërë diçka në mënyrën e duhur duhet kapur momenti dhe momenti është sa është i nxehtë se dhe kujtimet dhe njerëzit shprehin emocionet kur janë të freskëta.

Nuk arrin ti tregosh të gjitha por në fund kam qenë ë kënaqur që kam pranuar sepse është një punë që mbetet dhe e tregon dhe në të ardhme.”