Transmetuar më 12-03-2019, 12:41
Klement Balili ne gjykate, foto arkiv

Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë seancën e sotme kur Prokuroria pritej të jepte pretencën për Klement Balilin.

Seanca u shty për në 26 mars, për shkak se mungonte avokati mbrojtës Theodhori Sollaku, duke bërë që prokurori të mos paraqiste konkluzionet e hetimeve.

Kujtojmë se pak ditë më parë gjykata pranoi kërkesën e Klement Balilit, që gjykimi ndaj tij të bëhet në mënyrë të shkurtuar.

Në këtë mënyrë, në sajë të gjykimit të shkurtuar, në rast se deklarohet fajtor, Balili përfiton uljen e një të tretës së dënimit.

Klement Balili u vetëdorëzua në polici më 15 janar, nën ndërmjetësimin e drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, në fshatin Stjart të Delvinës, ndërkohë që nuk i ka pranuar akuzat.

Akuzat e ngritura ndaj Balilit janë “Trafikim i lëndëve nar.kotike, kryer në bashkëpunim”, “Pjesëmarrje në grup të strukturuar”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive” si dhe “Pastrim parash”. /a.y/noa.al